Telegrafi

Pasi po humb luftën në terren, Rusia tani po shfrytëzon bombarduesit me rreze të gjatë

Për herë të parë që nga agresioni i saj, ushtria ruse ka përdorur bombardues me rreze të gjatë për të sulmuar qytetin port të rrethuar të Mariupolit, sipas ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës.

Një zëdhënës i ministrisë, Oleksandr Motuzyanyk, pohoi se Rusia ka përqendruar përpjekjet në okupimin e qyteteve lindore të Ukrainës, Rubizhne dhe Popasna dhe qytetin jugor të Mariupol, raporton bbc.

Ai shtoi se betejat në rrugë po vazhdojnë në Mariupol, të cilat forcat ruse nuk kishin arritur ta kapnin plotësisht që nga fillimi i luftës.

Zëdhënësi tha se luftime aktive po zhvilloheshin rreth fabrikës së çelikut dhe hekurit, si dhe në zonën e portit.

Ndryshe, Rusia ka vazhduar të bombardojë edhe vendbanime të tjera duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale. /Telegrafi/