Telegrafi

Pasi njoftoi nisjen e një kundërofensive në rajon, Ukraina ‘bombardon kapacitetet ruse të furnizimit’ në lumin Dnipro

Betejat e ashpra po zhvillohen pranë Khersonit në Ukrainën jugore pasi Kievi njoftoi nisjen e një kundërofensivë në rajon.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Ukraina dëshiron të shtyjë trupat ruse nga Kherson – të pushtuara nga këta të fundit në ditët e para të luftës – dhe të kthejë ato përtej lumit Dnipro.

Në këtë drejtim, Ukraina tha se forcat e saj kishin shkatërruar “një numër deposh municionesh ruse” dhe “të gjitha urat kryesore” që lejojnë automjetet të kalojnë Dnieper.

Por Moska theksoi se kishte zmbrapsur “përpjekjet sulmuese” të Ukrainës në rajonin Kherson si dhe në atë të Mykolaiv, më në perëndim.

“Për shkak të dështimit të ofensivës ukrainase (…) armiku pësoi humbje të mëdha prej 1200 burrash”, citohet të ketë thënë ministria e mbrojtjes e Rusisë.

Por Euronews shkruan se nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur asnjërën nga këto pretendime.

Sidoqoftë, në një përditësim të përditshëm të inteligjencës, Ministria Britanike e Mbrojtjes (MM) tha se forcat e blinduara ukrainase po vazhdonin të sulmonin trupat ruse nëpër disa akse në Ukrainën jugore.

Si përgjigje, Rusia ka të ngjarë të përpiqet të “mbysë boshllëqet në mbrojtjen e saj” me njësi rezervë, duke përfshirë disa nga lindja e Ukrainës, shtoi Ministria e Mbrojtjes. /Telegrafi/