Telegrafi

Pas vdekjes së Keith Flint dhe Luke Perryt, në rrjetet sociale rikthehet tema e “Mallkimit të Aaron Ramseyt” – 18 personalitet e njohura që ndërruan jetë pas golave të uellsianit

Aaron Ramsey, Paul Walker, David Bowie, Whitney Houston, Robin Williams (Fotomontazh: Getty Images/Guliver)

Fansat e artit dhe sportit mendojnë se “Mallkimi i Aaron Ramseyt” ka goditur sërish, sepse vetëm dy ditë pasi futbollisti i Arsenalit shënoi kundër Tottenham Hotspur, ndërroi jetë këngëtari i “The Prodigy”, Keith Flint, si edhe aktori Luke Perry.

Para se të vazhdojmë, duam të sqarojmë se futbollisti nuk është përgjegjës në asnjë mënyrë për vdekjet e të famshmëve, mirëpo “mallkimi” ka vazhduar në mënyrë bizare, saqë përdoruesit e rrjeteve sociale po vazhdojnë ta përmendin.

Në fundjavën e kaluar (e shtunë, 2 mars), Ramsey shënoi gol në derbin londinez në Wembley, ndërsa në mënyrë të pabesueshme, dy të famshëm të tjerë kanë ndërruar jetë.

Keith Flint dhe Luke Perry vdiqën më 4 mars, dy ditë pasi Ramsey kishte shënuar ndaj Tottenhamit (Foto: Getty Images/Guliver)

Shpesh është thënë se golat e uellsianit janë mallkim, sepse kur ai shënon vdes një personalitet i njohur. Dhe me rastin e vdekjes së Flint dhe Perry, kjo temë është rikthyer në rrjetet sociale.

” Aaron Ramsey shënoi të shtunën, ndërsa dy ditë më pas vdiqën Keith Flint dhe Luke Perry. Mallkimi është i vërtetë”; “Aaron Ramsey shënon të shtunën… Keith Flint vdes të hënë. Mallkimi AaronRamsey”; “Mallkimi Aaron Ramsey godet sërish… U prehsh në paqe Keith Flint” – janë disa prej postimeve në rrjetet sociale.

Disa prej komenteve në Twitter

Gjithçka filloi në vitin 2009 kur Ramsey shënoi kundër Portsmouthit. Tri ditë më pas, më 25 gusht, ndërroi jetë senatori Ted Kennedy. Mallkimi goditi sërish pas dy vitesh. Ai e shënoi golin e fitores kundër Manchester Unitedit, ndërsa themeluesi i Al-Qaedas, Osama Bin Laden, u vra një ditë më pas.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Aaron Ramsey

Të njëjtin vit, uellsiani shënoi kundër Tottenhamit dhe në atë javë vdiq themeluesi i Apple, Steve Jobs. Në tetor 2011, në përballjen ndërmjet Arsenalit dhe Marseille, Ramsey shënoi në fund të ndeshjes, kurse një ditë më pas vdiq Muammar Gaddafi.

Diva e muzikës pop, Whitney Houston (Foto: Scott Gries/ImageDirect/Guliver)

Në vitin 2012, futbollisti kishte shënuar gol në të njëjtën ditë kur vdiq diva e muzikës pop, Whitney Houston.

Ndërsa pasi shënoi në ndeshjen ndërmjet Uellsit dhe Skocisë në Hampden Park, vdiq legjenda e NBA, Ray Williams dhe oligarku rus, Boris Berezovcy.

Aktori i ndjerë, Paul Walker (Foto: Stuart C. Wilson/Getty Images for Universal Pictures/Guliver)

Në vitin 2013, ai shënoi për Arsenalin në të njëjtën ditë kur Paul Walker humbi jetën në një aksident komunikacioni.

Pasi shënoi kundër Manchester Cityt në Community Shield në vitin 2015, një ditë më pas ndërroi jetë legjenda e komedisë, Robin Williams. Rokeri legjendar, David Bowie, vdiq në vitin 2016, vetëm një ditë pasi Ramsey e kishte gjetur rrjetën. Në të njëjtin vit, vdiq ylli i “Harry Potter” dhe “Die Hard”, Alan Rickman, menjëherë pasi mesfushori kishte shënuar.

Aktori i famshëm hollivudian, Robin Williams (Foto: Peter Kramer/Getty Images/Guliver)

Tre vite më pas, një gol në derbin lokal kundër Tottenhamit, pasoi me vdekjen e Nancy Reagan – aktorja dhe gruaja e ish-presidentit amerikan, Ronald Reagan. Ramsey kishte shënuar edhe para vdekjes së prezantuesit, aktorit dhe komikut britanik, Sir Bruce Forsyth.

Goli kundër Milanit në vitin e kaluar u pasua me vdekjen e komikut Sir Kenn Dodd dhe gjeniut të shkencës, Stephen Hawking, në të njëjtën javë.

Ramsey po ashtu shënoi edhe një ditë para vdekjes së legjendës së lojërave me shigjeta, Eric Bristow, në muajin prill të vitit 2018. /Telegrafi/