Telegrafi

Pas tre ditësh, Kievi më në fund deklarohet për futjen e trupave ukrainase në territorin rus

Një zyrtar ukrainas hodhi pak dritë të enjten mbi objektivat e sulmit të Kievit në rajonin Kursk të Rusisë.

Këshilltari i presidentit ukrainas Mykhailo Podolyak, sugjeroi gjatë një interviste dhënë televizion kombëtar, se inkursioni i befasishëm do të shërbente për të rritur pozicionin e Kievit në negociatat e mundshme të ardhshme me Rusinë, transmeton Telegrafi.

“A po reagojnë ndaj diçkaje tjetër përveç frikës? Jo, ne duhet ta kuptojmë më në fund këtë. Rusia do ta perceptojë çdo kompromis si dobësi dhe gatishmëri për t’u gjunjëzuar para saj”, tha Podolyak.

“Ju mund të shtrydhni diçka, të merrni diçka, nëse ata e kuptojnë se [lufta] nuk po shkon sipas skenarit të tyre”, shtoi ai.

Sipas tij, avancimi i ukrainasve në territorin rus gjithashtu do të “frikësojë” rusët dhe do të përkeqësojë akoma më shumë qasjen kundër liderit rus.

Mijëra banorë të Kurskut janë evakuuar, ku autoritetet e atjeshme kanë shpallur gjendjen emergjente – rajon ky që shtrihet përgjatë kufirit me Ukrainën. /Telegrafi/