Telegrafi

Pas sulmit në veri, Tahiri kërkon shkarkimin e Lajçakut dhe Borellit: Pa ndëshkuar Serbinë thirrjet për vazhdimin e dialogut nuk kanë kuptim

Ish kryenegociatorja, Edita Tahiri ka reaguar pas sulmeve terroriste ndaj Policisë së Kosovës të dielën në veri.

Tahiri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka kërkuar shkarkimin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Ajo tha se BE-ja po ashtu duhet të ndëshkojë Serbinë, pasi siç u shpreh ajo nuk ka asnjë kuptim vazhdimi i dialogut mes dy vendeve.

“Borell dhe Lajçak në çfarë planeti janë, duhet të japin dorëheqje pas sulmit hegjemon të Serbisë ndaj Kosovës. Tash BE-ja duhet ta suspendoj Serbinë e terroristëve nga integrimi evropian; të shkarkoj dy ndërmjetësuesit. Kosovën e ndëshkuan kur bëri gabime, tash pa ndëshkuar Serbinë thirrjet për vazhdimin e dialogut nuk kanë asnjë  kuptim…”, ka thënë Tahiri.

Ndryshe, në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.

Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

Nga gjuajtjet me armë zjarri, tre terroristë u vranë, dy janë arrestuar, dhe katër persona tjerë janë arrestuar për përfshirje.

Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë. /Telegrafi/