Ish kryenegociatorja, Edita Tahiri ka reaguar pas sulmeve terroriste ndaj Policisë së Kosovës të dielën në veri.
Tahiri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka kërkuar shkarkimin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Ajo tha se BE-ja po ashtu duhet të ndëshkojë Serbinë, pasi siç u shpreh ajo nuk ka asnjë kuptim vazhdimi i dialogut mes dy vendeve.
“Borell dhe Lajçak në çfarë planeti janë, duhet të japin dorëheqje pas sulmit hegjemon të Serbisë ndaj Kosovës. Tash BE-ja duhet ta suspendoj Serbinë e terroristëve nga integrimi evropian; të shkarkoj dy ndërmjetësuesit. Kosovën e ndëshkuan kur bëri gabime, tash pa ndëshkuar Serbinë thirrjet për vazhdimin e dialogut nuk kanë asnjë kuptim…”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.
Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.
Nga gjuajtjet me armë zjarri, tre terroristë u vranë, dy janë arrestuar, dhe katër persona tjerë janë arrestuar për përfshirje.
Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë. /Telegrafi/