Site icon Telegrafi

Pas sulmit me armë kimike në Siri, Trump takohet me zyrtarët ushtarak në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka kërcënuar me sulme ushtarake mbi Sirinë, për shkak të sulmeve të reja kimike që janë kryer ndaj civilëve, raporton Associated Press.

Ai këto komente i ka bërë gjatë takimit me zyrtarët ushtarakë në Shtëpinë e Bardhë, ku deklaroi se së shpejti do të marrë vendim për atë se si do të reagojnë SHBA-të, transmeton Telegrafi.

“Kemi shumë opsione ushtarake, do t’ju njoftojmë së shpejti”, ka deklaruar Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Në sulmin me armë kimike në qytetin sirian Douma gjatë 7 prillit janë vrarë më shumë se 40 persona, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë. Për sulmin po akuzohet presidenti sirian Bashar al-Assad që kategorikisht ka mohuar akuzat.

Vendet perëndimore besojnë se Assad nuk ka mundur të veprojë i vetëm pa pasur përkrahjen e Rusisë dhe Iranit. Ndërkaq, Trump ka thënë se do t’i përgjigjet këtij sulmi me armë bërthamore në mënyrë të “fuqishme”.

Në takimin e mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, prezent ishte Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis si dhe gjenerali i ushtrisë amerikane Joseph Danford.

Në anën tjetër ushtria ruse ka njoftuar se ushtarët e saj kanë hulumtuar vendin ku ka ndodhur sulmi në Damask, duke shtuar se nuk kanë gjetur prova se është përdorur gazi helmues.

Trump e ka dënuar sulmin duke e cilësuar si “të tmerrshëm dhe barbar”. Nëse është Rusia, Siria apo Irani të përfshirë, apo nëse janë të gjithë të bashkuar, këtë do ta zbulojmë”, ka shtuar Trump.

SHBA-të kanë thirrur Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që të miratojnë një rezolutë që dënon përdorimin e armëve kimike në Siri. Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzia ka akuzuar Washingtonin, duke krijuar qëllimisht tensionet ndërkombëtare duke kërcënuar Rusinë me një ton që është i papranueshëm që nga koha e Luftës së Ftohtë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version