Autoritetet e sigurisë kanë njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, janë sulmuar me armë zjarri dy makina të Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas sulmit në veri ndaj Policisë së Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se me shqetësim të madh është duke i ndjekur lajmet e fundit rreth sulmeve të armatosura ndaj zyrtarëve kufitar të Policisë së Kosovës.
“LDK ofron gjithë mbështetjen e nevojshme për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë në ushtrimin e detyrave kushtetuese dhe garantimin e sigurisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të shkurtër të lëshuar nga LDK.
Sulmi ndaj policisë së Kosovës u dënua gjerësisht në Kosovë.
Institucionet ndërkombëtare dhe udhëheqësit e partive politike në Kosovë e dënuan sulmin duke e quajtur atë kriminal, që ka për qëllim cenimin e rendit dhe ligjit./Telegrafi/