Telegrafi

Pas skandalit në Aeroportin e Shkupit ndaj presidentes Osmani, Aleanca për Shqiptarët: Të kërkojnë falje prej kryeministrit deri te ata që u përfshinë

Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës ka reaguar pas skandalit diplomatik në Aeroportin e Shkupit ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në reagimin e kësaj partie thuhet se qeveria e VMRO-së, përmes “vazalëve të VLEN-it”, po tentojnë që ta nënçmojnë dhe ofendojnë edhe Kosovën dhe presidenten Osmani.

“Kërkojmë urgjentisht që autoritetet kompetente të hetojnë dhe të sanksionojnë të gjithë personat përgjegjës për këtë sulm skandaloz ndaj autoritetit të Presidentes së Kosovës, duke shkelur të gjitha protokollet dhe konventat ndërkombëtare”.

“Qeveria e VMRO-së përmes vazalëve të VLEN-it, duke mos u mjaftuar me degradimin që u kanë bërë shqiptarëve në RMV, tani tentojnë që të nënçmojnë dhe ofendojnë edhe Kosovën, madje deri edhe Presidenten e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Më tej, Aleanca për Shqiptarët dhe ky është një provokim i rëndë, për të cilin duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të kërkojnë falje nga i pari i qeverisë deri tek personat pjesëmarrës në këtë rast.

Presidenca e Kosovës ka njoftuar për një skandal diplomatik sot, ku të pares së shtetit, Vjosa Osmanit, i është kërkuar nga sigurimi i Aeroportit të Shkupit që t’i merret telefoni personal, e madje edhe kanë tentuar ta shtyjnë fizikisht. /Telegrafi/