Telegrafi

Pas shkarkimit nga Zelensky, ish-kreu i forcave të armatosura të Ukrainës do të emërohet si ambasador në Mbretërinë e Bashkuar

Ish-kreu i forcave të armatosura të Ukrainës do të emërohet si ambasador i vendit në Mbretërinë e Bashkuar.

Valerii Zaluzhnyi u shkarkua nga presidenti Volodymyr Zelensky muajin e kaluar në atë që ishte tronditja më e madhe për udhëheqjen ushtarake të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të plotë nga Rusia, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Gjenerali ukrainas kishte udhëhequr përpjekjet e luftës që nga viti 2022.

Ai ishte parë si një rival i mundshëm politik për Zelenskyn dhe ishte i popullarizuar në mesin e ushtarëve.

Ukraina nuk ka pasur një ambasador në Mbretërinë e Bashkuar që kur Zelensky shkarkoi ish të dërguarin Vadym Prystaiko në korrik 2023 pasi ai kritikoi publikisht presidentin.

Në shpalljen e emërimit të tij, Zelensky pretendoi se gjenerali Zaluzhnyi i kishte thënë atij se diplomacia “është drejtimi që ai do të donte të merrte”.

Është e paqartë nëse ky emërim i ri është një shpërblim për shërbimin e mëparshëm të Zaluzhnyi, apo ndonjë lojë politike.

Vlen të kujtojmë se ish-shefi i ushtrisë nuk ka përvojë diplomatike.

Udhëheqësi ukrainas kishte thënë në kohën e shkarkimit të gjeneralit Zaluzhnyi se lidershipi brenda radhëve ushtarake duhej të “ripërtërihej”, por shtoi se gjenerali shumë i pëlqyer mund të “mbetej në ekip”. /Telegrafi/