Site icon Telegrafi

Pas sanksionimit nga ShBA-ja u pezullua nga pozita, por Ministria e Mjedisit e emëron sërish drejtor Nexhat Krasniqin

Ish drejtori i Prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi i cili u pezullua nga kjo pozitë për arsye se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e vendosën në listën e sanksioneve, ai tashmë është caktuar përkohësisht në pozitën e Drejtorit të departamentit të infrastrukturës rrugore në këtë Ministri.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar këshilltari për komunikim dhe media, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Gent Zeqiri.

Sipas tij, Krasniqi në këtë pozitë është emëruar pasi është obligim ligjor që i njëjti të emërohet në një pozicion tjetër brenda Ministrisë.

“Pas futjes në listën e zezë të ShBA-ve, ne e kemi trajtuar me shumë seriozitet situatën dhe menjëherë kemi vepruar, duke e pezulluar nga pozicioni paraprak, si drejtor i prokurimit, por është obligim ligjor që i njëjti të emërohet në një pozicion tjetër brenda Ministrisë”, tha Zeqiri.

Tutje ai tha se: “ky vendim njëherit, është vendim i Sekretarit të Ministrisë, dhe i njëjti ka vepruar ashtu siç e parasheh ligji”.

Lexo po ashtu SHBA i vendos sanksione Nexhat Krasniqit, ish-drejtorit të Departamentit të Prokurorimit në Ministrinë e Tregtisë

Siç mëson Telegrafi, Krasniqi u pezullua nga pozita e drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës po atë ditë që ShBA e vendosi në listën e sanksioneve.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kishin marrë vendim për sanksione ndaj Nexhat Krasniqit, ish-drejtorit të Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion. /Telegrafi/

Exit mobile version