Telegrafi

Pas reagimit të Ambasadës britanike, Ministria e Ekonomisë kërkon që të ndalet zgjedhja e kryeshefave të ndërmarrjeve publike

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka apeluar që të ndalet procesi i zgjedhjes së bordeve në ndërmarrjet publike.

Me anë të një deklarate për medie, ministri në detyrë i MEA-së, Muharrem Nitaj ka thënë se nuk e ka proceduar as zgjedhjen e bordit të Telekomit dhe të Infrakosit.

“Unë nuk kam proceduar me zgjedhjen e bordeve të reja, edhe në rastet kur kanë përfunduar të gjitha procedurat e rekrutimit, intervistimit dhe poentimit, siç është rasti me Bordin e Telekom-it. Po ashtu, kam mbështetur sugjerimet partnerëve në procesin e rekrutimit, që në disa raste të ndërpritet edhe procesi i intervistimit të kandidatëve që tashmë kanë aplikuar në konkurset e rregullta për anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike. U kam sugjeruar bordeve të përkohshme që të mos shpallin konkurse për zgjedhjen e kryeshefave ekzekutiv. Siç jeni në dijeni, Bordi i përkohshëm i Infrakosit e ka zgjedhur kryeshefin ekzekutiv të Infrakosit, edhe pse Zyra ligjore e Njësisë për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike ka konstatuar se ka munguar bashkëpunimi me aksionarin dhe ka pasur shkelje të kritereve të konkursit”, është shprehur Nitaj.

Ai është shprehur se, procesi i rekrutimit duhet të kthehet në pikën zero.

“Unë si ministër u kam kërkuar që procesin ta rikthejnë në pikën zero, por pavarësisht kësaj ata kanë proceduar tutje, duke mos përfillur kërkesat e Ministrisë që është aksionar i kësaj ndërmarrjeje. Për më tepër ky Bord e ka zgjedhur kryeshefin ekzekutiv të Infrakosit për një mandat 5 vjeçar, ndërkohë që me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, në nenin 15.1 përcaktohet që secili drejtor zgjedhet në mandat prej 3 vitesh. Kam kërkuar takim urgjent me Bordin e Infrakosit për të marrë shpjegimin e tyre, gjë që nuk është realizuar me arsyetimin se kryetari i Bordit nuk ndodhet në Kosovë. Po ashtu, kam kërkuar interpretim ligjor edhe në rastin e Postës, nëse ka pasur shkelje në procesin e zgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv dhe jam në pritje të tij. Si ministër, në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, interpretimin ligjor dhe kompetencat që kam, qysh sot do të propozoj të hyjë në rend dite të mbledhjes së radhës të Qeverisë, shkarkimi i Bordit të Infrakosit”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovës ka sugjeruar që Qeveria në detyrë e Kosovës të shtyjë të gjitha vendimet dhe proceset e rekrutimit të zyrtarëve në Ndërmarrje Publike, deri në formim të qeverisë së re.

Kjo Ambasadë thekson se proceset e rekrutimit të bordeve dhe kryeshefave ekzekutiv duhet të jenë transparente. /Telegrafi/