Ditën e hënë të datës 2 dhjetor, artistja shqiptare me famë internacionale, Bebe Rexha, vizitoi Shqipërinë.
Ajo qëndroi për një ditë në shtetin e saj amtar, duke vizituar familjet e prekura nga tërmeti, gjersa premtoi rindërtimin e dy shtëpive që ishin në gjendje jo të banueshme.
Mes shumë vizitash e një kohe të mirë kaluar, Bebe Rexha të martën u largua nga shteti shqiptar.
Kohën e saj të shkurtër të qëndrimit këtu, artistja shqiptare e kishte bërë të ditur para se të vinte, duke treguar se koha e saj do të ishte e limituar, vetëm për faktin se është në mes të turneut të saj me Jonas Brothers.
Ajo publikoi një fotografi të martën, ku shihej ndërsa kishte hipur në aeroplanin e saj privat, për t’u nisur për në kontinentin amerikan.
“Duke i kthyer përsëri në Shtetet e Bashkuara. Jam e lodhur por zemra ime është plot. Stacioni tjetër i shfaqjes është Chikago”, ka shkruar 30-vjeçarja në mbishkrimin e fotografisë.
Bebe Rexha gjatë vizitës në Shqipëri, u shoqëruar nga i pari i shtetit, Ilir Meta, bashkë me Zonjën e parë, Monika Kryemadhi.
Përgjatë qëndrimit në Shqipëri, ajo u shpreh falënderuese dhe krenare për origjinën e saj, teksa me një dashuri të madhe tha se shpreson që në një të ardhme të afërt ta vizitojë edhe Kosovën. /Telegrafi/