Pas publikimit të bisedave në mes të Pal Lekajt e Bilall Sherifit me Dardan Molliqajn, të cilat janë zhvilluar dje gjatë seancës, ka reaguar ky i fundit.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka pranuar se për disa ditë rresht PSD, ka negociuar me pushtetin për çështjen e buxhetit.
Molliqaj ka theksuar se, çdo bisedë me secilin politikan mund ta publikojë pasi nuk ka asgjë për të fshehur.
“Është shumë e vërtetë që për 4-5 ditë rresht kemi negociuar me pushtetin për çështjen e buxhetit. Ata kanë kërkuar ta votojmë, kurse ne kemi kërkuar të na i plotësojnë kushtet që i publikuam dje. Ne kërkuam votimin e ligjit për paga, shkarkimin e Rikallos, zvogëlimin e numrit të zv.ministrave, etj. Dhe na i pranuan këto kushte. Për këto është fjala në të gjitha mesazhet e publikuara. Asnjë bisedë gjatë këtij negocimi nuk është sekrete dhe kushdo që është i interesuar mund t’ia tregoj”, ka shkruar ai në Facebook, shkruan Telegrafi.
Ndërkaq lidhur me këtë ka reaguar Vetëvendosje.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “dhjetori i vitit 2018 po përmbyllet duke treguar fytyrën e vërtetë të tyre”.
“Në dhjetorin e vitit 2017 këta të ikurit fajësonin Albinin. Tani po dalin qëllimet e pretendimet e vërteta e të ndyra të tyre. Fat i madh që nuk janë në Lëvizje! Dhjetori i vitit 2018 po përmbyllet duke treguar fytyrën e vërtetë të tyre. Thonë që fundi e rikuptimson fillimin”, ka shkruar Haxhiu. /Telegrafi