Pas fitores ndaj Dereck Chisoras, siç ndodh rëndom në boks, Dillian Whyte drejtoi fjalë ofenduese ndaj kampionit të unifikuar, Anthony Joshua, i cili ndodhej në O2 Arena të Londrës për ta shikuar meçin.
AJ e ka caktuar datën 13 prill 2019 për duelin e tij të radhës në Wembley, mirëpo akoma nuk ka vendosur për kundërshtarin.
Kampioni i WBC-së, Deontay Wilder, është shënjestra kryesore e britanikut, por nëse amerikani vendos për rimeç ndaj Tyson Furyt, atëherë kandidat kryesore është Whyte.
“E dua atë copë m*** atje! Le të ndeshemi!”, ishin fjalët ofenduese të 30-vjeçarit drejtuar kampionit të IBF, WBA dhe WBO.
Në atë çast, Joshua u çua dhe u afrua te ringu dhe fillimisht kërkoi një duartrokitje për të dy boksierët.
“Harroni gjithçka që tha ai, që tha ajo (duke iu referuar Dillianit në gjininë femërore). Të gjithë e dimë se si shkon lista”.
“Nëse dikush meriton një shans për titull, ai je ti (Whyte). Objektivi është Deontay Wilder, por nëse nuk ndodh me të, atëherë do të jetë Dillian Whyte”, ishin fjalët e Joshuas.
Dillian Whyte fitoi me nokaut në raundin e 11-të ndaj Dereck Chisoras në duelin e zhvilluar në kryeqytetin britanik. /Telegrafi/