Dy persona janë plagosur sot nga të shtënat me armë zjarri, të cilët më pas u dërguan për tretman mjekësor në Viti dhe më pas janë transferuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit.
Në lidhje me këtë Prokuroria Themelore në Gjilan, departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar tre persona, në kohëzgjatje prej 48 orëve, të pandehurit N.H. dhe N.B., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘’Vrasja e rëndë në tentativë’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe të pandehurin A.B., për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se të plagosurit janë me inicialet N.B dhe A.B
“Dyshohet se gjatë ditës së sotme, më 08 Gusht 2024, rreth orës 10:07 minuta, në Fshatin e Ri, në komunën e Vitisë, të pandehurit N.B. dhe A.B, janë plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri, të cilët për shkak të plagëve të marra kanë kërkuar ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Pozheran, komuna e Vitisë, pastaj janë transferuar në Spitalin Regjional në Gjilan, të cilët për momentin janë jashtë rrezikut për jetë.
Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurve brenda afatit ligjor do të kërkojë masën për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë penale”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/