Telegrafi

Pas pensionimit nga Kuvendi, Ismet Krasniqi emërohet këshilltar i presidentes Osmani

Ismet Krasniqi, ish-sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës për afro 17 vite, është emëruar këshilltar i presidentes Vjosa Osmani.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media nga Zyra e Presidentes.

“Përgjatë angazhimit të tij, z.Krasniqi është shquar për përkushtim e profesionalizëm. Këshilltari Krasniqi ka qenë mbështetës profesional i të gjitha proceseve me rëndësi të veçantë për vendin tonë, duke filluar nga Pakoja e ish- Presidentit Ahtisari, përgatitja profesionale e teknike për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë, angazhimi teknik në përcjelljen dhe kompletimin e dokumentacionit për nevojat e delegacionit tonë në GJND, si dhe përgatitjet për amendamentet kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Pas 17 vitesh punë në Kuvend, pensionohet sekretari i përgjithshëm Ismet Krasniqi

Tutje në njoftim thuhet se kontribut të veçantë Krasniqi ka dhënë edhe në sigurimin e prezencës së komunitetit të donatorëve në Kuvend dhe pjesëmarrjes së shoqërisë civile në punën e Kuvendit.

“Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje z. Krasniqit dhe ka theksuar se angazhimi i tij është vlerë e shtuar për Kabinetin, ngase ai bart pas vetes një përvojë të gjatë institucionale e profesionale”, thuhet mes tjerash në njoftim. /Telegrafi/