Telegrafi

Pas LVV-së as PDK nuk do të marrë pjesë në takimin e nesërm të thirrur nga Hoti

Partia Demokratike e Kosovës, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur për nesër nga Kryeministri Avdullah Hoti.

PDK thotë se qasja e Hoti, duke dërguar fillimisht ftesa nga rrjetet sociale dhe studiot televizive, nuk është serioze.

Sipas tyre, kjo është vazhdimësi e ish Qeverisë Kurti.

“Ftesa e dërguar nga Kryeministri Hoti, në mënyrën si është bërë, pa konsultim paraprak, është veprim i qëllimshëm i dështimit të takimit të nesërm”, thotë kjo parti.

Më tej PDK konsideron se Hotit i mungon koordinimi i veprimeve për çështjet nacionale, për të cilën thotë se po e dëmton frymën e dialogut.

Lexo po ashtu ​Selimi thotë se Vetëvendosje nuk do t’i shkojë në zyrë Avdullah Hotit

“Kosova ka ndërtuar një traditë të mirë të koordinimit dhe bashkërendimit të veprimeve për çështje të rëndësishme nacionale. Por, sjellja e Kryeministrit Hoti është kundër këtij principi dhe nuk e ndihmon, por e dëmton, frymën e bashkëpunimit për një temë të rëndësishme siç është Dialogu. Urojmë që ky Kryeministër do të reflektojë para një ftese tjetër dhe do të jetë më serioz”.

Në fund PDK thotë se aty ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë edhe Kosova.

“BE ka ndihmuar Kosovën në agjendën evropiane dhe duhet të marrë përgjegjësi edhe në procesin e Dialogut”, thuhet në fund

Ndërkaq ftesën e Hotit e ka refuzuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“LVV e thërret atë, jo ai të na thërrasë neve. Nuk kemi pse i shkojmë në zyrë. Para se ai të na presë në zyrën e tij, e presim në Kuvend”, ka thënë shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi. /Telegrafi/