Duket se Real Madrid do të humb në një tjetër objektiv të afatit kalimtar të verës, ku Donny Van de Beek pritet të mbetet te skuadra e Ajaxit edhe për këtë sezon.
Trajneri Erik Ten Hag kishte thënë se po pret që mesfushori të qëndrojë gjersa të njëjtën gjë e ka pohuar edhe vetë lojtari.
Ai ka folur pas takimit të mbrëmshëm në kuadër të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve, ku holandezët triumfuan 3-2 kundër PAOK-ut.
“Asgjë nuk është e sigurt akoma, por ka mundësi që unë do të vazhdoj këtu”, tha lojtari në zona e përzier.
“Çfarëdo që të ndodhë, Real Madrid dhe Ajax janë dy klube fantastike. Nuk mund të ankohem”, pohoi ndër të tjerash futbollisti, i cili ishte një ndër më meritorët për sukseset e klubit gjatë vitit të kaluar.
Ndryshe, 22-vjeçari deri më tani ka pasur 97 paraqitje për kampionët dhe ka shënuar 22 gola në të gjitha garat. /Telegrafi/