Telegrafi

Pas iniciativës së separatistëve pro-rusë që t’i bashkohen Rusisë, këshilltari i Zelensky ka një mesazh: Tentoni, do të jetë interesant

Pas raportimit se Këshilli Popullor në Republikën Popullore të vetëshpallur të Donetskut është dakorduar për mbajtjen e referendumit për hyrjen e DPR-së në Federatën Ruse, Kievi zyrtar ka reaguar lidhur me këto synime të separatistëve pro-rusë.

Ishte këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Mihail Podolak, i cili kishte një paralajmërim për ushtrinë ruse dhe liderët kukulla të Vladimir Putinit në rajonet që kontrollohen nga separatistët pro-rusë, transmeton Telegrafi.

“Rusët kanë vendosur që në mënyrë asimetrike t’i kundërpërgjigjen kundërofensivës ukrainase. Mendojë se me referendumet ilegale do të ndalin HIMARS-in (sistemin e avancuar raketor amerikan) si dhe forcat e armatosura ukrainase. Vërtetë dëshironi të humbni kohë kot, kohë kjo që ju nevojitet të ikni? Tentoni do të jetë interesant”, ka shkruar Podolak në llogarinë e tiji në Tëitter.

Në anën tjetër, udhëheqësi i DPR-së, Denis Pushilin, ka deklaruar se votimi do të jetë “një format i përzier – ballë për ballë dhe në distancë, duke marrë parasysh çështjen e sigurisë”.

Ndryshe kundërofensiva ukrainase duket se ka alarmuar tej mase Kremlinin, që po pëson humbje të mëdha si në njerëz ashtu dhe në makineri luftarake.

E ideja e referendumit i ka bërë ata të besojnë, se mund t’i ruajnë rajonet që i kontrollojnë nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. /Telegrafi/