Telegrafi

Pas grindjes kërcen mbi kapakun e motorit, shoferi i jep gaz dhe vozit me 120 km/h – kalimtar i rastit i drejton revolen duke e detyruar të ndalet (Video)

Një skenë e pazakontë ka ndodhur dhe është filmuar në një autostradë në Massachusetts të SHBA-ve. Marc Fidgerald dhe Richard Kamrovski kishin shkaktuar një aksident trafiku duke u përplasur me vetura, por dëmet materiale nuk ishin edhe aq të mëdha.

Megjithatë kur i ndalën veturat filluan ta ofendojnë njëri-tjetrin me fjalët më të rënda, dhe në një moment Kamrovski vendosi t’i dalë përpara veturës Fidgeraldit për ta parandaluar që të vazhdojë rrugëtimin, transmeton Telegrafi.

Por, ai nuk e dinte se çfarë e priste. Fidgerald i dha gaz veturës dhe Kamrovski gjeti vetën mbi kapakun e veturës së tij. Kështu për më shumë se tre kilometra voziti duke e mbajtur mbi kapak, kurse dëshmitarët okularë pretendojnë se kishte lëvizur me shpejtësi prej 120 kilometra në orë. E Kamrovski nga mllefi i theu xhamin e përparmë.

“I thosha të ndalet, por nuk dëshironte të dëgjonte. Mendova se do të më shtyp”, ka deklaruar Kamrvoski.

Ndërkaq Fidgerald është filmuar duke vozitur herë shpejt e herë ngadalë, me qëllim që ta “shkundte” nga kapaku i motorit. Megjithatë e gjitha përfundoi kur reaguan shoferët tjerë në autostradë. Njëri prej tyre arriti ta ndal duke ia drejtuar.

“Dil jashtë, jam i armatosur”, dëgjohet duke i thënë shoferit të nervozuar.

Këtë moment të pazakontë e ka filmuar një grua e cila dëgjohet duke bërtitur: “Je mundur ta mbysësh. Dëshiron ta mbysësh vetëm pse ka goditur veturën tënde”.

Fidgerald është akuzuar për sulm, vozitje të rrezikshme. Megjithatë u lirua pasi pagoi dënimin prej 500 dollarëve. Ai është urdhëruar që mos ta kontaktoj Kamvroskin si dhe i është marrë patentë shoferi.

Dyshja pritet të takohen sërish gjatë muajit të ardhshëm në gjyq, kurse ndaj burrit që ndërhyri dhe ia drejtoi revolen nuk është ngritur padi, pasi është konfirmuar se ka leje për mbajtjen e armës. /Telegrafi/