Site icon Telegrafi

Pas dy muajve izolim, fillon hapja e disa bizneseve në Kosovë

Hapja e disa bizneseve në Kosovë | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Tregtia me pakicë, gastronomia dhe floktarët janë disa nga llojet e bizneseve që kanë filluar ushtrimin e aktiviteteve në fazën e dytë që nga vendosja e masave të reja pas përhapjes së pandemisë së COVID-19 në Kosovë.

Lidhur me këtë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti në konferencë për medie kishte bërë të ditur se nga e hëna do të vazhdohet me fazën e dytë të lehtësimit të masave kundër COVID-19. Ai njoftoi se më 18 maj do të fillohet me hapjen e disa bizneseve.

“Hapja e fazës së dytë mund të vazhdoj më 18 maj ashtu siç është planifikuar. Tashmë kur do të marrim vendim nga faza e parë në të dytën, duhet të punojmë që së bashku të ulim infektimet”, kishte njoftuar ai.

Lexo po ashtu Kurti: Nga e hëna fillon faza e dytë e lehtësimit të masave

Edhe ministrja në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari kishte thënë se ekonomia do të hapet gradualisht.

“Synimi është që ta hapim ekonominë gradualisht, për shkak se jemi të vetëdijshëm se kemi humbje të mëdha ekonomike, duke filluar nga likuiditeti dhe humbja e kontratave të punëtorëve. Jam e vetëdijshme që shumë punëtorë kanë humbur vendet e punës në sektorin e gastronomisë, ndërtimtarisë, atë të tregtisë me pakicë që janë mbyllur. Tani jemi duke punuar edhe për pakon e dytë e fiskale. Jam shumë pozitive që për shumë humbje që kemi, kemi edhe shumë shpresë. Falënderojmë bizneset që kanë respektuar masat”, kishte thënë Hajdari, përcjell Telegrafi.

MEPTINIS kishte nxjerr urdhëresën për mbarëvajtjen e bizneseve gjatë periudhës së pandemisë, ku për ato biznese që kanë punuar ishte urdhëruar që të merren masat higjienike.

Lexo po ashtu 'Faza e dytë' - masat që bizneset obligohen t'i marrin për zhvillimin e rregullt të aktivitetit gjatë kohës me COVID-19

Po ashtu, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transferëve është miratuar Pakoja Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.65 milionë euro, për t’i ndihmuar bizneset dhe individët që ta tejkalojnë këtë kohë të pandemisë.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.

Aktualisht janë gjithsej 985 raste me COVID-19, me 736 të shëruar dhe 29 të vdekur.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë faza e tretë e masave do të nisë nga 2 qershori deri në vendimin e radhës.

Kjo është lista e plotë e aktiviteteve të bizneseve që do të hapen në fazën e dytë, duke filluar nga 18 maji deri më 2 qershor:
– Tregtia me pakicë (plotësisht)
– Dentistët dhe fizioterapeutët
– Floktarët dhe sallonet e ondulimit
– Tregu i gjelbër
– Gastronomia (merr me vete)
– Transporti hekurudhor
– Transporti urban dhe ndërurban (me leje të veçanta)
– Qendrat e thirrjeve (me lista të stafit esencial) /Telegrafi/

Hapja e disa bizneseve në Kosovë | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Hapja e disa bizneseve në Kosovë | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Hapja e disa bizneseve në Kosovë | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Exit mobile version