Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku është intervistuar sot nga hetuesitë policorë me autorizim të Prokurorisë Speciale, për postimin që bëri të martën në rrjetin social në Facebook, se “më parë e vras Albin Kurtin, sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar avokati i Klinakut, Ramë Dreshaj.
Dreshaj tha se postimi i Klinakut është nxjerrë nga konteksti.
“Po e ka intervistu hetuesia për postimin që ka bërë dje në Facebook. Ata e kanë pyetur ‘a është Facebook-u yti’, ka thënë po. ‘A ta përdor dikush Facebook-un’, ky ka thënë jo. Nuk e ka mohu. Por gabim e kanë bërë të gjitha organet që janë marrë me këtë punë dhe disa media fjalën ‘vrasë Albin Kurtin’ e kanë nxjerr nga konteksti”, ka thënë Dreshaj.
Edhe zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu ka thënë se sot është intervistuar F.K për shkak të dyshimit të arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprën penale “dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”.
Sipas tij, i njëjti pas intervistimit është lëshuar në procedurë të rregullt.
“Ju njoftoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës ka intervistyar F.K për shkak të dyshimit të arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprën penale dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës, i njëjti pas intervistimit është lëshuar në procedurë të rregullt”, ka thënë Lutfiu.
Ndryshe për këtë postim të Klinakut kanë reaguar zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani dhe deputeti i LVV-së, Enver Dugolli. /Telegrafi/