Telegrafi

Pas ankesës së RTK-së, Inspektorati i Punës shfuqizon vendimin për gjobitjen e televizonit dhe drejtorit të përgjithshëm

Inspektorati i Punës ka shfuqizuar vendimin për gjobitjen e Radio Televizionit të Kosovës dhe drejtorit të përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj.

Vendimi ka ardhur pas ankesës së RTK-së.

“Nuk ka gjobë nga Inspektorati për RTK-në dhe as për Drejtorin e Përgjithshëm Lidhur me shkrimet e para disa ditëve që korresponduan me riciklim të një lajmi më të vjetër, në prag të debatit në Komisionin Parlamentar për Media. RTK njofton se Inspektorati i Punës ka marrë për bazë ankesën e RTK-së dhe e ka anuluar vendimin fillestar të Inspektorit të Punës, në lidhje me rastin e ish-udhëheqësit të Marketingut”.

Sipas tyre, RTK dhe drejtori i saj nuk janë dënuar për asnjë shkelje në rastin e ish-udhëheqësit të Marketingut dhe nuk do të paguajnë asnjë gjobë.

Lexo po ashtu Inspektorati i Punës dënon RTK-në me 4900 euro si dhe drejtorin Shkumbin Ahmetxhekaj me 500 euro

Për më shumë, Inspektori i rastit e ka hedhur poshtë edhe ankesën e punëtorit lidhur me shkarkimin e tij.

“Menaxhmenti i RTK-së nuk e sheh të arsyeshme që të reagojë ndaj secilit vendim dhe të krenohet kur fiton rastet në IP (janë disa raste gjatë vitit 2022) apo organe të drejtësisë, por ky rast ishte më specifik pasi i njëjti u përdor që të sulmohej vendimmarrja në RTK, përmes një vendimi fillestar, i cili u hodh poshtë”, thuhet në njoftim.

Për këtë rast, RTK thotë se nuk kishte pranuar madje as raportin zyrtar.

“Menaxhmenti i RTK-së zotohet për zbatim të ligjshmërisë, në secilin rast veç e veç, e po ashtu këtë zotim do ta realizojë edhe gjatë procesit të ristrukturimit që do të ndodhë gjatë këtij viti”, thuhet në fund të njoftimit.