Telegrafi

Pas AAK-së, edhe LDK konfirmon se ka pranuar draft-statutin e Asociacionit

Pas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka konfirmuar se ka pranuar nga Bashkimi Evropian zyrtarisht një kopje në gjuhën angleze të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.

“Dje e kemi pranuar zyrtarisht draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë shkurt Halimi.

Ndërkaq, edhe nga AAK i kanë thënë Telegrafit se të enjten u është dorëzuar një kopje e draft statutit të Asociacionit.

Kushtrim Xhemaili nga AAK tha për Telegrafin kjo parti do t’i japë komentet lidhur me draft-statutin pasi ta diskutojnë në organet e partisë.

“Po, mund të ju konfirmoj që dje na është dorëzuar një kopje e draft-statutit të Asociacionit, në gjuhën angleze. Ndërsa, komentet tona për këtë dokument do t’i shpalosim pas diskutimeve në organet e partisë”, tha ai.

Lexo po ashtu Opozita pranon draft-statutin e Asociacionit - AAK konfirmon, PDK e LDK heshtin

Telegrafi i ka shkruar edhe partisë tjetër opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), por nuk të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Megjithatë burime brenda kësaj partie i thanë Telegrafit se edhe PDK ka pranuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndryshe, draft-statuti i Asociacionit i është prezantuar fillimisht kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitës së pesëshes evropiane në Prishtinë gjatë muajit tetor, e ku ishte i pranishëm edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndërkaq, pas vizitës në tetor, Lajçak po ashtu ishte për vizitë në Kosovë më 7 nëntor, ku takoi përfaqësuesit e partive opozitare lidhur me draft-statusin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas këtij takimi, përfaqësuesit e partive opozitare patën dhënë deklarata kontradiktore në lidhje me atë se a kanë parë ose jo draft-statutin në takimin me Lajçak.

E gjatë këtyre dy muajve, Qeveria nuk ka publikuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të pranuar nga pesëshja evropiane.

Por, drafti që pretendohet të jetë i njëjti me atë që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, është publikuar nga ish-inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani. /Telegrafi/