Telegrafi

Pas 10 viteve, Mourinho zbulon se çfarë i tha Guardiolës në momentin që spanjolli po bisedonte me Ibrahimovicin

Janë bërë një dekadë kur Interi ka fituar tripletën e famshme, duke kompletuar një sezon të jashtëzakonshëm në vitin 2010.

Por pak kush mendonte se Interi do të kalonte në finale, kur Barcelona ishte duke udhëhequr 1-0 sfidën e kthimit gjysmëfinale dhe Neroazzurët mbetën me një lojtar më pak në fushë.

Në atë sfidë të zhvilluar në Camp Nou është shkrepur njëra nga fotot më ikonike të Ligës së Kampionëve, kur Pep Guardiola po jepte këshilla për Zlatan Ibrahimovicin.

Ishte minuta e 28-të e ndeshjes kur Thiago Motta i Interit u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa në stolin e Barcelonës kishte festë.

Portugezi një dekadë më vonë ka rrëfyer këtë ngjarje, duke zbuluar edhe fjalët që ia kishte thënë në atë moment Guardiolës.

“Në momentin që Busquets ra në tokë, isha duke qëndruar në këmbë midis bankës tonë dhe zonës ku Thiago Motta u largua me të kuq”, nisi rrëfimin e tij Mourinho për Gazzetta dello Sport.

“Me cepin e syrit tim mund të shihja bankën e Barcelonës duke festuar, sikur të kishin fituar tashmë”.

“Guardiola thirri Ibrahimovicin dhe po i fliste për taktikat, si të luanin 11 kundër 10. Kështu që unë ndërhyra dhe i thashë: Mos festoni para kohe, kjo ndeshje nuk ka mbaruar”, tregoi Mourinho.

Trajneri portugez ka thënë ndër të tjera se humbja ndaj Barcelonë 1-0 në Camp Nou ka qenë humbja më e mrekullueshme në karrierën e tij. /Telegrafi/