Vetëm virtualisht, një ditë: Samiti i BE-së me Kinën duhej të ishte pika kulmore e presidencës gjermane. Tani Europa kërkon pozicionin e saj mes Uashingtonit e Pekinit, të drejtave të njeriut e lidhjeve të biznesit.
Fillimisht samiti ishte planifikuar për 3 ditë dhe Lajpcigu do ishte në qendër të vëmendjes botërore.
Samiti BE-Kinë nga 13 shtatori deri në 15 shtator do të duhej të ishte pika kulmore e presidencës gjermane me kancelaren Angela Merkel si mikpritëse.
Tani do të vijnë më shumë demonstrues.
Samiti zhvillohet virtualisht, i shkurtuar me një ditë.
Të hënën (14. 9.) me kreun e shtetit kinez dhe të partisë komuniste Xi Jinping do të bisedojnë virtualisht president i Këshillit të BE, Charles Michel, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe kancelarja Merkel si presidente e radhës.
Kur në qershor Berlini e anuloi samitin e madh, u përmend pandemia e coronavirusit si arsye.
Por zvogëlimi i takimit lidhet edhe me klimën politike.
Imazhi i Kinës në Europë këto muaj ka pësuar goditje të forta: shtypja e ujgurëve, procedimi i ashpër në Hong Kong sollën protesta edhe nga parlamentet europiane.
Lucrezia Poggetti, eksperte për marrëdhëniet e Kinës dhe BE në institutin e Berlinit, Merics, kujton edhe pakënaqësinë për veprimin jotransparent të Kinës në pandeminë, ose të ashtuquajturën diplomacinë e maskës.
“Kjo u pa si fushatë e paturpshme reklamimi për vendin, kur në shumë raste Kina eksportin e ndihmave mjekësore e etiketoi si ndihma humanitare”.
Rivali sistemor – Kinë
Në Europë po ndryshon qëndrimi në marrëdhëniet me Kinën.
Politika e jashtme gjithnjë e më agresive e Kinës, shtypja gjithnjë e më e madhe e lirisë së mendimit e të drejtave të njeriut brenda vendit u reflektuan zyrtarisht në mars 2019 në BE.
Komisioni Europian në Bruksel paraqiti për herë të parë një strategji ndaj Kinës. Që në faqen e parë aty thuhet: Kina për Europën nuk është vetëm partner në luftë kundër ndryshimit të klimës; nuk është vetëm konkurrente në ekonomi. Kina identifikohet si “rivale sistemi”, që nxit “modele qeverisjeje alternative”. Që do të thotë: Pekini përpiqet që të themelojë në botë një sistem autokratik sundues si kundërmodel ndaj demokracisë të formës europiane.
I ngarkuari i BE për politikën e Jashtme, Joseph Borell e theksoi në një intervistë me revistën franceze Journal Le Dimanche në maj, ku erdhi në përfundimin, se Europa në marrëdhëniet me Kinën ka qenë “disi naive”, por tani po ndjek një strategji më realiste.
Me këtë strategji ka ndryshuar edhe retorika e Brukselit.
Kjo kuptohet edhe në deklaratën për shtyp të Charles Michel dhe Ursula von der Leyen pas samitit me video në qershor me kryeministrin kinez, Li Keqiang.
Michel bën fjalë për varësi të dyanshme në ekonomi, për nevojën e bashkëpunimit në ndryshimin e klimës e luftimin e pandemisë, por pastaj pason se “ne duhet të pranojmë, se nuk ndajmë të njëjtat vlera, sistem politike apo qëndrime ndaj multilateralizmit.
Ne do angazhohemi me vështrim të qartë e vetëbesim që të mbrojmë energjikisht interesat e BE dhe vlerat tona”.
Ngec marrëveshja për investimet
Rregulla dhe reciprocitet do të duhet të sjellë “marrëveshja e përgjithshme e investimeve”, CAI.
Prej gjashtë vitesh negociohet për të. Më shumë qasje në treg, kushte konkurrence të ndershme dhe mbrojtje e klimës.
Por për një ujdi, sipas Kinës duhet të lëvizë më shumë pala europiane.
“Por pala europiane e ka bërë shumë të qartë, se nuk mund të pikëtakohen në mes”, thotë Jörg Wuttke, presidenti i Dhomës së Tregtisë së BE me Kinën.
Sepse firmat kineze gjejnë ndërkohë në Europë tregje të hapura dhe kushte të ndershme konkurrence.
Ndryshe është gjendja për firmat europiane. E ka radhën Pekini “të mbyllë boshllëqet”, thotë Wuttke. Por ai nuk është optimist.
Ministri i Jashtëm kinez, Vang Yi në një vizitë në dhjetorin e vitit të kaluar, kishte theksuar, se Europa ndodhet shumë lart në axhendën diplomatike të Kinës për vitin 2020.
Për Yi, marrëveshja për investimet është projekti më i rëndësishëm i politikës ekonomike të Kinës.
Megjithatë Reinhard Bütikofer, eurodeputet i Të Gjelbërve në Parlamentin Europian dhe drejtues i delegacionit për marrëdhëniet me Kinën shprehet, se nuk ka asnjë përparim në frontet kryesore.
Vizitë kundër Kinës
Para dy javësh Vang Yi ishte për vizitë sërish në Europë. Para samitit të së hënës dhe pas vizitës së ministrit të Jashtëm amerikan, Mike Pompeo në disa kryeqytete të Europës Qendrore e Juglindore.
Revista gjermane Spiegel e cilësoi këtë tur si “vizitë anti-Kinë”.
Nga ana e saj qeveria kineze kërkon të pengojë krijimin e një fronti transatlantik, është e bindur ekspertja e institutit, Merics, Poggeti.
“Qeveria kineze e sheh me shqetësim nënshkrimin e një deklarate qëllimore për rrjetin 5G gjatë vizitës së Pompeos në disa vende europianolindore dhe juglindore. Kjo bëhet pas njoftimit të Britanisë së Madhe e Francës që të largojë deri në vitin 2027 e 2028 pajisjet e prodhuesit të telekomunikacionit Huawei. Deri më tani Europa nuk ka një qëndrim të njësuar ndaj Huaweit”.
Vizita e parë e ministrit të Jashtëm kinez në kohën e pandemisë, Vang Yi në Europë u pa si një përpjekje për të lënë përshtypje të mirë në Europë, por vetëdijesimi i ri i BE ndaj Kinës e bëri këtë pritje më të ftohtë se e mendonte ndoshta Kina.
Edhe në Berlin, ministri i Jashtëm, Heiko Maas tha fjalë të qarta.
Ai kërkoi tërheqjen e ligjit për sigurinë kombëtare, me të cilin praktikisht merr fund pavarësia e Hong Kongut. Për ujgurët, Maas kërkoi një mision vëzhgues të OKB-së.
Berlini publikoi në të njëjtën kohë edhe një “Strategji për Indo-Paqësorin”, që kuptohet si një përpjekje e Gjermanisë për t‘i parë të diversifikuara marrëdhëniet gjermane me Azinë.
Gjermania kërkon të zgjerojë lidhjet e saj e të nënshkruajë marrëveshje të tregtisë së lirë me vende të tjera për të zvogëluar varësinë e ndjeshme ekonomike ndaj Pekinit.
Në prezantimin e kësaj strategjie, Maas tha se “ne forcojmë me këtë qëndrimin për një botë multipolare, në të cilën asnjë vend nuk duhet të vendosë mes poleve të pushtetit”.
Kuptohet se për kë e ka fjalën Maas. SHBA dhe Kinën. Konflikti mes këtyre vendeve do të ndjehet edhe në samitin virtual. /DW/