Ish-futbollisti dhe trajneri i njohur Debatik Curri, i cili ka qenë edhe reprezentues i Shqipërisë për shumë vite gjatë kohës sa ishte futbollistë aktiv, në një podcast për Telegrafin, ka treguar një histori interesante, kur në fillimet e karrierës është lidhur me një transferim te klubi serb, Partizani i Beogradit.
Curri ka qenë i ftuari i radhës në podcastin e Telegrafi Sport, ku ka folur gjerë e gjatë për karrierën e tij si futbollistë, por edhe si trajner.
Megjithatë, llapjani ka vendosur në fillim të podcastit të tregojë një histori interesante të karrierës së tij, sa ishte futbollist i Prishtinës.
Në interesimin e gazetarëve të Telegrafit, Lavdim Pireva dhe Romak Zeqiri, rreth ofertave të tij të hershme, Curri tregoi se interesim kishte pasur edhe nga Partizani i Beogradit për një transferim të mundshëm të tij.
“Unë personalisht ofertë nuk kam pasur prej atij klubi [Partizanit të Beogradit], por si informacion më ka ardhur kur kam qenë duke luajtur në Prishtinë, në kohën kur legjenda Fadil Vokrri ka qenë drejtor në atë kohë”, ka thënë fillimisht Curri në podcastin e Telegrafi Sport.
“Një ditë ai më thirr në zyre dhe më thotë: një klub dhe një lojtar që nuk po më kujtohet emri, me numër 6 [Katanec] që luan para mbrojtjes, shumë përngjan me të dhe iu ke pëlqyer shumë”.
“Nuk është që hapur si transferim shkaku edhe i rrethanave politike që kanë qenë, por që e kanë përmend ata për mua “që mos të kishte me qenë situata kështu”. Por, normalisht nuk është diskutuar puna e transferimit apo diçka sepse nuk ish bo fjalë me kalua në atë pjesë, por interesimi dhe pëlqyeshmëria që e kanë pas, pasi kanë thënë që shumë po ngjan në atë futbollistë”.
“Normalisht nuk bëhet fjalë, nuk ka qenë as opsion sidomos në atë kohë edhe gjithmonë shkaku i historisë qysh e kemi pas me ta, kurrë nuk është bë fjalë me kalua ose me i than që jam i interesuar me shku ose diçka. Nuk ka qenë interesim i imi”, shtoi ndër tjerash Curri. /Telegrafi/
Më poshtë mund ta ndiqni gjithë podcastin e Debatik Currit në Telegrafi Sport.