Më 18 prill në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet kuvendare, të cilat do të mbahen më 8 maj.
Pas votimit në zgjedhjet presidenciale (24 maj) partitë kanë vazhduar sot me fushatën. Telegrafi Maqedoni iu sjell disa nga aktivitetet e koalicioneve më të mëdha, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet për deputetë.
Koalicioni “Për ardhmëri europiane” i udhëhequr nga LSDM, sot ka mbajtur tubim në Qendër të Shkupit. Prej atje Dimitar Kovaçevski tha se ata janë të vetmit që kanë fuqi politike, dituri dhe vendosmëri për ta çuar vendin në BE.
“LSDM është e vetmja forcë politike që ka fuqi, dije, këmbëngulje dhe përkushtim për ta futur vendin në BE, prandaj ne nuk po dorëzohemi dhe e dimë se qytetarët do të na mbështesin më 8 maj që së bashku të sigurojmë një të ardhme të sigurt dhe të begatë për vendin”, tha Kovaçevski, duke shtuar se historia dhe tradita e LSDM-së, por edhe vendosmëria për të ardhmen evropiane të Maqedonisë janë dëshmia më e mirë se ata kurrë nuk dorëzohen.
Koalicioni i udhëhequr nga OBRM-PDUKM, sot ka mbajtur tubim në Gradsko. Hristijan Mickoski tha se në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale kanë fituar 20 përqind më shumë vota se kandidatët e partive në pushtet.
“Kjo fitore e madhe është edhe përgjegjësi. Populli pret rezultate të shpejta dhe ne nuk kemi kohë për justifikime. Menjëherë pas 8 majit do të duhet të përveshim mëngët për të formuar fillimisht qeverinë dhe menjëherë të fillojmë të realizojmë atë që kemi premtuar për popullin, për qytetarët. Por ajo që është e rëndësishme dhe dua të përmend është fakti se ngadalë por me siguri Maqedonia dhe populli maqedonas, qytetarët në Maqedoni ndjehen të lirë dhe shpresa dalëngadalë po kthehet. Kjo është atmosfera, ky është emocioni që kam ndjerë këto dy ditë kudo që kaloj nëpër Maqedoni”, theksoi Mickoski.
“Fronti Europian” ende nuk ka filluar tubimet në terren, ndërsa sot Ziadin Sela në një postim në Facebook falënderoi votuesit që i mbështetën në zgjedhjet e 24 prillit.
“Kemi thënë që në fillim, se gjithmonë do të dëgjojmë zërin tuaj dhe do të punojmë për të ardhmen tuaj. Mbështetja juaj është edhe një dëshmi për pastërtinë e politikave tona. Na goditën, na tradhëtuan, na punuan pas shpine, tentuan të na përçajnë dhe demotivojnë, të na zhdukin nga skena politike. Kur u ndanë, fërkonin duart dhe prisnin që ne të luajmë me naivitet dhe të realizojmë deri në fund planet e tyre. Ne zgjodhëm të dëgjojmë zërin tuaj dhe të realizojmë planet tuaja. Në çdo nëndegë u takuam bashkë, ju kujtohet çdo bisedë para se të merrnim çdo vendim. Për ne, kjo ishte me rëndësi. Ata vetë thanë se vula më e mirë janë qytetarët dhe anëtarët e vërtetë të Aleancës për Shqiptarët, pastaj shpiknin lajme të rrejshme dhe mbanin kuvende e kongrese të improvizuara. Në Kuvend, Kongres ua dëshmuam se anëtarët e Aleancës për Shqiptarët janë këtu, në shtëpimë e tyre, nga Manastiri deri në Likovë, mbetën ALEANCË. Pastaj, thanë që do ta shohim në zgjedhje se ku qenkan votuesit e Aleancës për Shqiptarët. E saktë, mbrëmë e pamë të gjithë”, ka shkruar Sela.
Ndërsa Koalicioni “VLEN” e ka vazhduar fushatën për zgjedhjet parlamentare me takimet me qytetarët. Kryetari i “Alternativës”, Afrim Gashi ka treguar se koalicioni VLEN, synim e ka mirëqenien e qytetarëve. Ai gjatë një takim me disa të moshuar ka treguar se pensionet duhet të rriten sa më parë, madje Gashi me bindja ka thënë se asnjë pension nuk duhet të jetë më i vogël se paga minimale.
“Personat që nuk kanë qenë pjesë e sigurimeve shoqërore do të marrin pensionin minimal, të barabartë me pagën minimale. Të gjithë të tjerët do të marrin pensione më të larta. Të moshuarit të cilët dëshirojnë të punojnë edhe përtej moshës së pensionit, do të shikohet mundësia që të aktivizohen me pagë të rregullt, sipas përvojës profesionale dhe përgatitjes që ata kanë”, tha Gashi./Telegrafi/