Site icon Telegrafi

Partitë politike të gatshme për zgjedhje, VV-ja e bindur se do ta kalojë edhe PDK-në

Rezultatet e sondazheve se cilat parti politike kanë përkrahje më të madhe nga qytetarët, gati dy vjet para zgjedhjeve të rregullta parlamentare është parë si sinjal i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Publikimi i rezultateve nga sondazhi i fundit i realizuar nga kompania vendore “Ubo Consulting”, sipas të cilës, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këto ditë, 24.1 për qind e qytetarëve do ta votonin PDK-në, 23.3 për qind Lëvizjen “Vetëvendosje”, ndërsa LDK-në e kryeministrit Isa Mustafa 19.7 për qind, ka nxitur reagime të shumta, e sidomos nga ana e LDK-së e cila në zgjedhjet e fundit është radhitur e dyta.

Pavarësisht asaj se shumica po e shohin si sinjal të zgjedhjeve realizimin e këtyre sondazheve, në Partinë Demokratike të Kosovës nuk mendojnë kështu.

Deputetja e kësaj partie Blerta Deliu- Kodra, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se sondazhet janë të mirëseardhura meqë shërbejnë për të parë lëvizjen e elektoratit.

“Personalisht mendoj se nuk janë ndonjë sinjal për zgjedhje të parakohshme, aq më tepër tani kur skena politike kosovare po bënë përpjekje për një kompromis të mundshëm si dhe ulje në një tavolinë të përbashkët bisedimesh”, ka thënë Deliu- Kodra.

E pyetur se në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme ku e sheh të radhitur partinë nga e cila vjen, Deliu- Kodra u shpreh e bindur se PDK-ja do të vazhdojë të jetë e para.

“E them me plot bindje që PDK po vazhdon fuqizimin dhe përkrahjen qytetare dhe do të vazhdojë të jetë fuqia e parë politike në vend edhe në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh ajo.

Në anën tjetër në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të merren me sondazhe të tilla, të cilat thonë se janë të porositura.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se një sondazh i tillë është në disfavorin e vet subjektit politik që e ka bërë.

“Besoj që nuk ja vlen me u marrë me këtë çështje dhe unë nuk e kam ndërmend të merrem. Është joseriozitet shumë i madh nga subjekti që e ka bo këtë sondazh dhe nuk më befason sepse jemi mësuar me lojërat dhe ma pa seriozitetin e këtij subjekti politik”, ka thënë Gaxherri.

Ajo nuk ka dashur të flasë më shumë se a është e përgatitur LDK-ja apo jo në rast se mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Kurse, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi ka vlerësuar se publikimi i sondazheve ndodh kudo në botë në momente të ndryshme, edhe pse më shumë në prag të zgjedhjeve.

“Ne mendojmë se këtu s’ka mbetur tjetër zgjidhje pos zgjedhjeve, dhe kjo se qeveria e ka humbur legjitimitetin, siç e ka humbur edhe përkrahjen, gjë që tregojnë edhe sondazhet. Por sondazhe të këtilla ka pasur edhe me herët nga organizata vendore e ndërkombëtare, dhe ajo që është vërejtur është rënia e vazhdueshme e partive në pushtet, e në anën tjetër rritja e VV-së”, ka thënë Çaushi për Telegrafin.

Ai ka theksuar se si Lëvizje janë të gatshëm në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, kjo pasi që sipas tij, Vetëvendosje tashmë ka përfunduar zgjedhjet e brendshme, dhe ka dalë më e fuqishme se kurrë, me struktura të reja e shumë më aktive e dinamike.

“Ne jemi duke e forcuar organizatën edhe pas zgjedhjeve, ku çdo ditë ka anëtarësime të reja dhe po themelohen pika e qendra në Kosovë e diasporë. Kështu që jemi gati e më të fuqishëm se kurrë për zgjedhjet, të cilat konsiderojmë që duhet shpallur sa më parë që të ndryshojnë për së mbari ky vend”, theksoi Çaushi, duke shtuar se pavarësisht sondazheve që e nxjerrin VV-në në vendin e dytë, me një diferencë prej 0.7% prapa PDK-së, ata do t’ia arrijnë të dalin të parët me përkrahjen e vazhdueshme të qytetarëve dhe demaskimit të vazhdueshëm të kësaj qeverie.

Ndërkaq i pyetur rreth rezultatit të sondazhit të bërë nga “Ubo Consulting”, Çaushi theksoi se LDK-ja ka rënie drastike në elektorat dhe krejt kjo vjen si pasojë e skandaleve që sipas tij i sollën dëm vendit.

“Ata tradhtuan elektoratin e vet duke hyrë në koalicion me partinë që e akuzonin edhe për vrasje të aktivistëve të partisë së tyre, hyn nën sqetull të Kadri Veselit dhe ShIK-ut. LDK mashtroi elektoratin me 120 mijë vende pune, dhe në vend të kësaj tentuan që qytetarit të ia servojnë ‘Zajednicën’ dhe t’ia zvogëlojnë Kosovës territorin për 8200 hektarë. LDK nuk e tha asnjë fjalë për aferën Pronto 2. Isa Mustafa e ka sulmuar në mënyrën më të ulët këdo që ka qenë kritik ndaj tij, duke e ofenduar, linçuar apo edhe kërcënuar, siç ishte rasti me gazetarin Kajtazi. Ky njeri dhe partia e tij nuk kursyen nga sulmi as kompaninë që publikoi sondazhin e fundit, thua ti se ajo ka fajin për rënien e LDK-së”, ka thënë Çaushi.

E në partinë e Ramush Haradinajt, e cila sipas sondazhit të fundit u radhitë e katërta, me vetëm 9.2 për qind të përkrahjes qytetare thonë se publikimi i sondazheve nuk do të thotë sinjal për zgjedhje.

Anëtarë i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj i ka thënë Telegrafit se publikimi i sondazheve, edhe kur janë të dyshimta e të sajuara, mund të jetë sinjal se po “vjen era zgjedhje”, por jo domosdoshmërisht.

“Unë më tepër besoj se zgjedhjet janë të pashmangshme për shkak të një bllokade të krijuar politike, kjo për shkak të një qeverisjeje të paefektshme dhe për shkak të pamundësisë së zgjidhjes së demarkacionit dhe asociacionit”, ka thënë Nitaj.

Ai ka shtuar se AAK së bashku me Nismën janë duke punuar që t’i fitojnë zgjedhjet dhe se prognozat për rezultatin e zgjedhjeve ua kanë lënë të tjerëve.

Ndërkaq, në partinë Nisma për Kosovën kanë thënë se nuk e kanë parë sondazhin dhe se nuk mund të japin qëndrim rreth kësaj çështje. /Telegrafi/

Exit mobile version