Deputetët evropian miratuan sot planet për të rritur prodhimin e municioneve dhe raketave në BE, për të furnizuar Ukrainën me municion më shpejt, njoftoi Parlamenti Evropian.
Qëllimi i ASAP, është të përshpejtojë dërgimin e municioneve dhe raketave në Ukrainë, dhe të ndihmojë shtetet anëtare të rindërtojnë arsenalet e tyre, transmeton Telegrafi.
Duke futur masa të synuara, duke përfshirë 500 milionë euro financim, akti do të mundësojë rritjen e kapacitetit prodhues të BE-së për të trajtuar mungesën aktuale të produkteve të mbrojtjes, veçanërisht municionet e artilerisë, raketat dhe komponentët e tyre.
Gjatë negociatave me Këshillin, përfaqësuesit siguruan që një gamë më e larmishme e projekteve të merrte financim dhe që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të kishin të drejtë për një normë më të lartë financimi.
Ata siguruan financime të reja që nuk duhet të vijnë në kurriz të fondeve ekzistuese të kohezionit.
Ligjvënësit u zotuan gjithashtu të sigurojnë që vendet e BE-së të furnizojnë Ukrainën me municion të financuar sipas këtij akti, dhe se ajo nuk i nënshtrohet kufizimeve të eksportit, sipas një deklarate parlamentare.
Kreu i ekipit negociator të Parlamentit, Cristian Bușoi (EPP, Rumani), tha se “votimi i sotëm është një hap përpara për sigurinë dhe mbrojtjen evropiane dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën përballë agresionit rus”.
“Ne kemi arritur rezultate në pjesën më urgjente të ligjit: sigurimin e një furnizimi më të madh të municioneve për Ukrainën. Kështu tregojmë solidaritetin evropian dhe forcojmë sigurinë tonë kolektive”, vuri në dukje qytetari rumun.
Akti u miratua me 505 vota pro, 56 kundër dhe 21 abstenime. Ai duhet të miratohet nga Këshilli në mënyrë që të bëhet ligj, njoftoi Parlamenti Evropian.
Akti i Mbështetjes së Municioneve (ASAP) është një përgjigje ndaj kërkesës së Ukrainës drejtuar BE-së për furnizim me municion artilerie 155 mm dhe marrëveshjes së Këshillit të 20 marsit 2023, mbi një propozim për një qasje trepjesëshe për sigurimin e municioneve. Shtetet anëtare ftohen të transferojnë urgjentisht municione nga rezervat e tyre në Ukrainë (pjesa e parë). /Telegrafi/