Në konferencën e fundit për shtyp para duelit ndaj Anthony Joshuas, Joseph Parker ka folur për planet e tij pasi të pensionohet nga boksi.
Boksieri nga Zelanda e Re të shtunën (31 mars) do të vihet përballë boksierit britanik në meçin për unifikimin e titujve.
Ndërsa përveç përballjes, ai ka folur edhe për planet e tij në të ardhmen duke thënë se dëshiron të kujdeset për të tjerët.
“Dua të kujdesem për prindërit e mi, dua të kem një jetë të lumtur, e dini se dua të bëj një jetë komode dhe dua t’i ndihmoj të tjerët”.
“Qëllimi im kryesor pas boksit është që të hap një kompani promovuese për të kërkuar talentë të mirë në Zelandën e Re, pavarësisht nga cila lëmi, boksi, këndimi”.
“Nuk e di, ndoshta edhe nga sportet tjera, dua t’ua jap mundësinë që e kam pasur unë dhe t’i vë në skenën botërore”, është shprehur Parker.
Sa i përket kundërshtarit të tij, 26-vjeçari e ka përshkruar Joshuan si një kampion, për arritjet e të cilit ka respekt.
“Na pëlqejnë sfidat. Duam të shohim se cili do të bëjë performancën më të mirë në një mbrëmje boksi”.
“Tash është koha ime, jam i ri, i mprehtë dhe i vendosur për fitore. Jam këtu për t’u bërë pjesë e historisë, po e bëj për ekipin tim, familjen dhe vendin”.
“Do ta mposht AJ, nuk kam vendosur akoma se si do të fitoj. Këta rripa janë të mirë”, ka deklaruar Parker. /Telegrafi/