Joseph Parker beson se Anthony Joshua do ta ketë barrën kryesore, duke qenë se është favorit në duelin e unifikimit të titujve që zhvillohet në fundjavë.
Boksieri nga Zelanda e Re ditën e shtunë (31 mars), para 78.000 njerëzve në Principality Stadium në Cardiff do ta zhvillojë meçin për unifikimin e titujve kundër boksierit britanik.
Edhe pse Joshua do ta ketë mbështetjen e tifozëve, Parker mendon se pikërisht për këtë gjë, presionin do të jetë mbi shpatullat e 28-vjeçarit.
“Mendoj se do të ketë më së shumti presion mbi të në shtëpi. Kur ndeshesh në shtëpi, ndeshesh përpara familjes, miqve, vendit dhe dëshiron të bësh paraqitje sa më të mirë, prandaj ka shumë më tepër presion kur ndeshesh në shtëpi”.
“Ka shumë presion mbi të. Shumë sy do të jenë të drejtuar kah ky duel. Pritshmëritë janë shumë të mëdha nga ana e tij dhe shumë njerëz mendojnë se do të më nokautojë herët gjatë meçit dhe se ai do ta fitojë me lehtësi përballjen”.
“Shumë njerëz më pyesin nëse ka presion mbi mua? Unë iu them se nuk kam kurrfarë presioni dhe nëse ka presion, atëherë duhet të dish ta zgjidhësh”.
“Në boks dua të bëhem kampion i unifikuar i titujve. Tash kur kam arritur të bëhem kampion i Zelandës së Re dhe kampion i botës (WBO), dua të bëhem kampion i unifikuar”.
“Ka kaluar një kohë e gjatë prej se nuk ka pasur një kampion të unifikuar të botës, mendoj se që nga koha e Lennox Lewisit”, është shprehur Parker për Sky Sports. /Telegrafi/