Telegrafi

“Paratë nuk mund ta blejnë suksesin” – Formacioni i Bayernit ka kushtuar i gjithi më pak sesa shifra që pagoi Barcelona për Coutinhon

Foto: Getty Images/Guliver

Thënia e famshme “paratë nuk mund ta blejnë suksesin” është vulosur në ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve mes Bayern Munichut dhe Barcelonës.

Bayerni ka befasuar të gjithë pas fitores shumë të thellë me rezultat 8-2 ndaj Barcelonës në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Kjo fitore e jashtëzakonshme ishte befasuese edhe për faktin se klubi katalunas ka shpenzuar shumë viteve të fundit, për dallim nga Bayerni që nuk njihet për shpenzime të mëdha.

Lexo po ashtu Bayerni i pamëshirshëm, shkatërron Barcelonën dhe siguron plasmanin në gjysmëfinale të LK

Këtë më së miri e tregon edhe fakti se një blerje e dështuar e Barcelonës ka kushtuar më shumë sesa i gjithë formacioni titullar i Bavarezëve, i cili triumfoi pikërisht ndaj klubit nga Camp Nou.

Bëhet fjalë për blerjen e brazilianit Coutinho nga Liverpooli, blerje e cila i kushtoi klubit katalunas plot 120 milionë euro.

Fatkeqësia tjetër e këtij fakti është se pikërisht ylli brazilian është i huazuar te klubi gjerman dhe dje (e premte) shënoi dy gola dhe bëri një asistim ndaj skuadrës e cila e mban në pronësi, Barcelonës.

Coutinho ishte superior ndaj Barcelonës (Foto: Manu Fernandez/Pool via Getty Images)

Në anën tjetër, Bavarezët në formacionin titullar patën një lojtarë të akademisë Thomas Muller, dy lojtarë që i kanë transferuar falas: Leon Goretzka dhe Robert Lewandowski, të huazuarin Ivan Perisic për 4.5 milionë funte dhe blerjen e lirë të David Alaba për 135 mijë funte.

Në formacionin e Hansi Flick titullar ishin edhe Joshua Kimmich dhe Serge Gnabry që kushtuan nga 7 milionë funte secili, Alphonso Davies që ka kushtuar 9 milionë funte dhe Jerome Boateng për 12 milionë funte.

Kosto e formacionit titullar të Bayernit (Foto: BR Sport/Facebook)

Dy blerjet më të shtrenjta të formacionit titullar të Bayernit ishin Thiago Alcantara që ka kushtuar 22.5 milionë funte dhe Manuel Neuer për 27 milionë funte.

Sipas faqes së njohur sportive BT Sport, i gjithë formacioni fitues i Bavarezëve ndaj Barcelonës ka kushtuar vetëm 90 milionë funte. /Telegrafi/