Robotët humanoid të cilët “vijnë në jetë” nëpërmjet pajisjeve elektronike të realitetit virtual (VR), pritet që të përdoren për përgatitjen e parashutistëve të ushtrisë britanike për luftë.
Ushtarët e Brigadës së 16-të, do të testohen për shpejtësinë dhe aftësinë e tyre në një ushtrim special duke përdorur realitetin virtual, e këto stërvitje do i mbajnë në Colchester të Essexit, aty ku edhe ndodhet baza e tyre.
Robotët humanoid të quajtur ndryshe SimStrikers, do mund të gjuajnë në drejtim të ushtarëve me armë ajrore duke folur njëkohësisht në gjuhë të huaj, përcjell Telegrafi.
Në realitet, robotët duken sikur manekinë, por në realitetin virtual ata duken sikur të ishin ushtarët e armikut.
Kompania britanike për mbrojtje 4GD, ka furnizuar me 10 robotë SimStrikers Brigadën për Sulm Ajror, njësi kjo e ushtrisë britanike me seli në Colchester.
“Jemi të emocionuar që zyrtarisht do ta prezantojmë robotin SimStriker në treg për publikun, dhe që do vazhdojmë ta mbështesim ushtrinë britanike me zgjidhje të teknologjisë së lartë dhe me ushtrime të cilat monitorohen për së afërmi”, deklaroi Rob Tyler, themelues i kompanisë 4GD.
“Robotët SimStriker të 4GD-së janë një hap i madh nga largimi i shënjestrave për ushtrime të bëra nga druri dhe shkuarja në drejtim të shënjestrave të “mençura”, të cilat ofrojnë realitet në simulimet ushtarake, mund të ofrojnë vlerësime për efektivitetin e ushtarëve tanë me një saktësi matematikore, dhe të cilët do mund të ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve të tyre për luftë urbane”, shtoi tutje Tyler. /Telegrafi/