Ata u pajtuan pas një kohe të gjatë dhe bënë bujë të madhe kur u shfaqën së bashku gjatë kësaj vere.
Bëhet fjalë për reperët shqiptarë, Noizyn dhe Stresin, të cilët i dhanë fund përfundimisht armiqësisë së tyre dhe ky i fundit bëri një pjesëmarrje befasi në koncertin e Rigels Rajkut (emri i vërtetë) në “Alpha Show” më 14 gusht.
Arkimed Lushaj (emri i vërtetë) në një intervistë dhënë për Prive tha se çdo gjë ecën me moshë, duke shtuar se kur ka ndodhur sherri i tyre kanë qenë shumë të rinj.
“Në radhë të parë e falënderoj shumë ZinZinin. Ka qenë një përkrahje shumë e madhe, mendoj që është pritur prej 13 vitesh. Ne jemi rritur jemi 35-vjeç nuk jemi më 22 vjeç sepse kemi reaguar ndryshe. Kur vjen një moshë tjetër robi ndërgjegjësohet”, u shpreh Stresi.
“Alpha Show ka qenë një emocion shumë i madh. Mendoj se është mbajtur në mend hapja e koncertit dhe përqafimi i ynë. Për sa i përket bashkëpunimit tonë është sekret shumë i madh. Ne kemi shumë për të dhënë, kemi shumë koncerte bashkë. Do të kemi edhe shumë në vazhdim bashkë. Takohemi shumë shpesh pa praninë e askujt”, vazhdoi më tej artisti.
Se çfarë do të sjellin dyshja e famshme mbetet të shihet në vazhdim. /Telegrafi/