Site icon Telegrafi

Paralajmëron Rashiq: Kemi presione e linçime të mëdha në këto zgjedhje nga Lista Serbe dhe Beogradi, frikësohemi se mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit ‘Sloboda’, Nenad Rashiq, në një intervistë për “Përballje Ditore”, në Telegrafi.com me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka folur zgjedhjet e parakohshme, për koalicionin ‘Sloboda’, për gjuhën linçuese dhe të tensinouar që janë duke e përdorur zyrtarët e Listës Serbe dhe Beogradi zyrtar kundër këtij koalicioni. Ai gjithashtu ka folur edhe për programin qeverisës, si dhe për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi e dialogun. 

Rashiq ka thënë se zyrtarët e koalicionit që ai e udhëheq janë në presion të madh nga mekanizma legal dhe ilegal të udhëhequr nga Beogradi për të dëmtuar e frikësuar ata. Ai ka shpjeguar edhe pse sipas tij koalicioni ‘Sloboda’ është në këtë garë për tu ofruar serbëve të Kosovës një perspektivë tjetër në Kosovë.

“Konsideroj që serbët e Kosovës janë popull i uzurpuar dhe e kemi zgjedhur një fjalë si sinonim i lirisë. Pra liri nga të gjitha dukuritë negative. Në momentin kur Beogradi zyrtar dhe jozyrtar i përdor krejt forcat për momente politike, i shkel trupat, ju duhet të jeni të gatshëm për një luftë. Metodat që po përdorën këto ditë, ku tre-katër njerëz janë larguar nga puna, një komisioner e kanë suspenduar në komunën e Graçanicës, e po ashtu edhe një komisioneri tjetër nënën e tij. Sa paradoksale mund të jetë kur një komisioner ka mendimin e tij politik dhe e përjashtojnë nënën e tij nga puna për këtë gjë”, ka thënë ai.

 

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit ‘Sloboda’, në një intervistë në Telegrafi.com/Foto: Ridvan Slivova

Sipas tij është momenti që serbët e Kosovës të marrin në duar të tyre fatin dhe çështjen e tyre.

“Po vazhdon kërcënimi, linçimi, ofendimi, gjuha pa kulturë. Një nga deklaratat e para nga Lista Serbe ka qenë që “ne jemi parazitë”. Fatkeqësisht ky ofendim po vazhdohet dhe po përkrahet nga ana e Beogradit e nivelit të lartë. Për ata të gjithë ne jemi tradhtar, jemi shqiptaro-serb. Ne tani po funksionojmë sikur në ilegalitet. Sikur në ndonjë rezistencë në kohën e luftës. Kushdo takohet me mua apo bashkëpunëtorët e mi e gjen menjëherë mënyrën e linçimit. Nuk hezitojnë të përdorin cilëndo masë që kanë në dispozicion”, ka thënë ai duke shtuar se ka frikën që në kohën kur fillon zyrtarisht fushata zgjedhore, kjo gjuhë do të ashpërsohet edhe më shumë.

“Tek ne do të jetë e vështirë të shkohet në Zubin Potok, Zveçan por edhe në vende tjera. Kam frikë që mund të ndodhë edhe më keq. Ju e dini që Ivanoviç është vrarë për shkak të politikës, dy kandidatë të komunës së veriut kanë qenë të vrarë. Dhe kjo është metodologjia që është përdorur,dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Unë nuk kam pasur kërcënime personalisht. Vlera morale duhet të jetë një nga parimet e para tek secili politikan. Ne në listë jemi që besojmë se serbët e Kosovës meritojnë më mirë se Lista Serbe, që nuk punojnë e as nuk kanë ofruar ndonjë projekt”, ka thënë Rashiqi.

Ndër të tjera Rashiq ka shpalosur edhe programin e tij qeverisës.

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit ‘Sloboda’, në një intervistë në Telegrafi.com/Foto: Ridvan Slivova

“Përveç programeve ekonomike, do të jetë edhe fuqizimi i serbëve brenda programeve institucionaliste. Të jenë pjesë e dialogut, e atyre ngjarjeve që po ndodhin. Ne kemi edhe deklaratën e pajtimit që për herë të parë e ka bërë një parti. Unë do të ftoj jo vetëm serb por edhe shqiptar ta shohin se çka po ndodh me ne. Qëllimi i parë është të bëjmë një pajtim sepse e dimë që është duke ndodhur një radikal ekstrem në Beograd”, ka theksuar ai.

Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme do të mbahen me 6 tetor. Telegrafi ka provuar të intervistojë edhe zyrtarët e Listës Serbe, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur deri tani./Telegrafi/

Exit mobile version