Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një intervistë për emisionin “Përballje”, ka folur rreth kompensimit të orëve mësimore të cilat janë humbur gjatë grevës në fillim të këtij viti.
Jasharaj, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se pushimi pranveror ka filluar në shumicën e shkollave.
Ai thotë se vetëm në pak shkolla është mbajtur mësimi edhe këtë të shtunë si pasojë e presioneve nga drejtoritë komunale të arsimit.
“Por, edhe aty ku është mbajtur mësimi nuk kanë shkuar nxënësit”, tha Jasharaj, përcjell Telegrafi.
Kryetari i SBASHK-ut ka thënë se ata janë të vendosur për mos zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, pasi ligji nuk u obligon të kundërtën.
“Kjo gjë mund të ndryshojë vetëm nëse gjykata vendos ndryshe, pavarësisht se me ligj nuk na takon të zëvendësojmë mësimin e humbur gjatë grevës… Të mësohen institucionet se ka greva në Kosovë”.
Jasharaj ka thënë se nëse ka ndonjë presion apo institucion do të ushtrojë presion ndaj mësimdhënësve për t’i kompensuar orët, ata do të futen në grevë të përgjithshme por pa u paraqitur në vendin e punës.
“Për shkaqe tjera këtë vit nuk do të bëjmë grevë. Por, nëse ka presione direkte dhe të fuqishme do ta rikthejmë grevën, pasi edhe ministri Bytyqi e di se grevën nuk e kemi mbyllë, por e kemi pezulluar. Më mirë të lihen arsimtarët të punojnë gjatë pesë ditëve se të bëhet presione edhe të shtuneve dhe të humbet edhe rrjedha e mësimit”, tha Jasharaj./Telegrafi/