Gjykata Themelore në Pejë, ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve Sh.B dhe I.G, të cilët dyshohet se kanë dhunuar 23 vjeçaren nga Shqipëria, e cila vuan edhe nga problemet mendore.
Vendimi për caktimin e masës së paraburgimit ka ardhur pas kërkesës nga Prokuroria Themelore e Pejës.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.
“Prokurori i shtetit, brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditë ne Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore ne Pejë, gjatë ditës së enjte. Ditën e premte të javës së kaluar kemi marrë konfirmimin nga gjyqtari i procedurës paraprake që kërkesa e Prokurorisë është aprovuar dhe dy te pandehurit të dyshuarve për veprën penale “dhunimi” u është caktuar masa e paraburgimit”, tha Nikçi.
Caktimin e paraburgimit e kanë konfirmuar edhe Gjykata Themelore e Pejës.
Ndërkaq, Nikçi shtoi se janë duke u zhvilluar hetimet për të ndriçuar këtë çështje penale.
“Prokurori i shtetit ka dhënë autorizime për kryerjen e veprime hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështje penale. Ndërkaq, viktima ka marrë trajtimin e duhur, ku ka pasur mbështetje nga Mbrojtësi i viktimave, psikologia dhe psikiatri”, tha Nikçi.
Telegrafi ditë më parë raporti se në mesin e të dyshuarve për këtë rast është babai i një ish-deputeti të Kuvendit të Kosovës.
Lidhur me rastin është sekuestruar edhe një veturë. Ngjarja e rëndë për 23 vjeçaren dyshohet të ketë ndodhur në një motel në qytetin e Pejës.
Ndryshe, rasti i rëndë u zbulua pasi motra e viktimës e raporti atë si të zhdukur, dhe si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore, vajza u gjet në Pejë.
Pasi vajza u gjet, gjendja e saj nuk ishte e mirë dhe e njëjta u dërgua për ekzaminimet e nevojshme. /Telegrafi/