Christian Panucci nuk është aspak i kënaqur me Kombëtaren e Shqipërisë në ndeshjet e zhvilluara deri më tani për Ligën e Kombeve, turne në të cilin kuqezinjtë renditen në vendin e fundit në grup, me tri pikë, po aq sa Skocia, e cila vjen këtë fundjavë për të zhvilluar ndeshjen e parafundit në këtë fazë grupesh në “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Mundësitë e kombëtares për kualifikim më tej janë të vogla, pasi na duhet të mundim me katër gola diferencë Skocinë dhe të presim se çfarë do të ndodhë në ndeshjen tjetër, që Skocia do të luajë me Izraelin.
“Ne e kemi dhuruar vet kualifikimin në Ligën e Kombeve, nuk është se na kanë mundur kundërshtarët, përjashto ndeshjen që luajtëm në Glasgow. Atë ndeshje merituam ta humbisnim, sepse nuk luajtëm mirë, vuajtëm agresivitetin dhe pësuam katër gola nga goditjet standarde. Kanë qenë gabime fëmijërore dhe për këtë sigurisht nuk mund të përgjigjem unë, apo jo? Megjithatë, unë i marrë përsipër përgjegjësitë e mia, por dua t’iu them edhe juve atë që i vë në dukje gjithmonë ekipit. Këta lojtarë nuk dinë të komunikojnë me njëri-tjetrin, më duken si skuadër memece kur janë në ndeshje. Nuk mund të jem gjithmonë unë që t’iu them kujdes këtu e kujdes atje. Këtë javë të qeshin më pak e të flasin më shumë”, ka thënë Panucci.
Megjithatë për trajnerin italian ka vetëm një synim për ndeshjen e radhës me Skocinë: ta fitojë për të përmirësuar të statistikat në Ligën e Kombeve, e më pas të shohë nëse kjo fitore do të vlejë për kualifikim.
“Është shumë e rëndësishme që të shënojmë gol. Të vazhdojmë nivelin e lojës që bëmë me Izraelin. Kemi luajtur më mirë edhe sesa në fitoren ndaj Turqisë. Duhet të jemi më të egër dhe oportunistë në fushë. Nuk duhet t’i shpërdorojmë rastet që na krijohen. Mungesa e Hysajt na penalizon, por nuk do të luaj me tre mbrojtës. Nuk kam ndërmend të sakrifikoj asgjë prapa. Në këtë ndeshje na duhet të mendojmë shumë përpara, e do të rrezikoj gjithçka për ta fituar”, ka shtuar Panucci.
Në fund, Panucci sqaroi çështjen e Loret Sadikut: “Unë e kisha thirrur si pjesë e ekipit kombëtar. Më ka dërguar mesazh dhe më ka shpjeguar se nuk ndihej në 100 për qind të formës së tij. I kam thënë se, nëse nuk ndihej në formë, më mirë të mos vinte. Por, nuk ka qenë një refuzim, të paktën kështu më tha”, deklaroi Panucci.
Fiorin Dyrmishaj do të jetë ndërkohë sulmuesi më i ri i kuqezinjve, i cili me sa duket është një zgjedhje e momentit të fundit nga Panucci. Një lojtar premtues, 21 vjeç, dhe që aktivizohet në kampionatin grek me Panionios, ku në 10 ndeshje ka shënuar tre gola. /TopChannel/