Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina ka thënë se sot komisioneri Johannes Hahn na është thënë diçka që e kemi ditur prej kohësh.
Pantina në “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini ka thënë se çdokush që i njeh hapat teknik do të duhej të kishte ditur se s’ka liberalizim të vizave.
“Institucionet e BE-së e kanë fajin e vet me disa nga kriteret që i kanë vendosur Kosovës. Për të luftuar krimin dhe korrupsionit BE-ja ka përgjegjësi, pasi edhe EULEX-i e ka pasur në dorë drejtësinë dhe nuk ka bërë sa duhet”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Sipas deputetes opozitare, BE-ja sot ka dhënë mesazhin më të keq të mundshëm ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Në këtë dështim fajin e kemi baras. Sa institucionet tona aq edhe BE-ja… Nuk mund të mos akuzojmë edhe institucionet tona”, tha Pantina.
Deputetja e PSD-së thotë se personat që punojnë në sistemin gjyqësor duhet të ndihen të turpëruar pas shtyrjes që BE-ja i bëri Kosovës në liberalizimin e vizave.
“Sot duhet të ndihen të turpëruar shumica e personave që punojnë në sistemin gjyqësor”, shtoi ajo, duke mos kursyer as politikanët.
“Është momenti i fundit kur koalicioni qeverisës, por edhe opozita të ulen dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët… Sa kjo qeveri sot edhe ajo e kaluara ka përgjegjësi, nëse jo më shumë, për këtë dështim në liberalizimin e vizave dhe dialogut”.
Pantina thotë se institucionet e vendit kanë pasur qëndrime të ndryshme në politikën e jashtme.
“Unë mendoj që i takon Kryeministrit, sepse është vështirë të kesh besim te Presidenti, të ulet në tavolinë dhe të krijojë ekipin e bisedimeve”, tha Pantina./Telegrafi/