Telegrafi

Panelet solare mbi kanalet e ujit, do të mund të prodhonin 13 GW energji elektrike për Kaliforninë

Turlock Irrigation District (TID) ka bërë një hap të madh para në Kaliforni, drejt vendosjes së paneleve solare mbi sipërfaqet e kanaleve të ujit, e projekti i parë i tillë mori 20 milionë dollarë nga shteti për t’u realizuar plotësisht.

TID ka paralajmëruar projektin Nexus, që nënkupton testimin e konceptit të paneleve solare në dy segmente të kanaleve, transmeton Telegrafi.

Ky projekt është realizim i hulumtimit të kryer nga shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë Merced dhe atij Santa Cruz, e sipas përllogaritjeve, kanalet me ujë të Kalifornisë do të ruanin 63 miliardë galon me ujë çdo vit, nëse do të kishin “kapakët” e tyre.

Shkencëtarët kanë thënë se vendosja e paneleve solare do t’i shndërronin kanalet në burim të energjisë së ripërtërishme, pasi do të mund të prodhonin deri në 13 GW energji elektrike. Kjo i bie të jetë një e gjashta e energjisë së përgjithshme të prodhuar në Kaliforni.

Panelet solare do të mund të vendoseshin mbi kanale me ndihmën e kabllove varëse, e efekti i ftohjes do të realizohej përmes ujit që rrjedh nën to, dhe do të ruante efikasitetin e paneleve që mund të shkatërrohen gjatë ditëve të nxehta.

Një sasi e madhe e ujit të ruajtur – që i bie rreth 63 miliardë galon, do të përdorej për ujitjen e mbi 20 mijë hektarëve tokë pune apo për ujë të pijshëm për rreth dy milionë njerëz.

Edhe pse mund të tingëllojë si pak duke marrë parasysh sasinë e tokës që fermerët e përdorin në Kaliforni, thatësirat që kanë goditur në të kaluarën këtë vend – ky projekt do të mirëpritej.

Përfundimi i projektit pritet të ndodhë gjatë vitit 2024, ku më pas do të merret vendim për zgjerim të këtij projekti. /Telegrafi/