Telegrafi

Pamjet rrëqethëse të aksidentit zinxhiror në Budapest, u përfshinë 43 vetura – një person humbi jetën dhe 39 tjerë u lënduan

Në një aksident zinxhiror ku u përfshin 43 vetura në autostradën pranë Budapestit të Hungarisë, ka humbur jetën një person, ka konfirmuar policia hungareze.

Trupi i pajetë është gjetur në vendin ku ndodhi dje aksidenti, nën një veturë të djegur, transmeton Telegrafi.

Sipas raporteve të policisë, 39 persona kanë pësuar lëndime, ku 14 prej tyre janë në gjendje të rëndë, e në mesin e të lënduarve ka edhe fëmijë.

Televizioni hungarez RTL ka publikuar videon e aksidentit që e regjistroi kamera e vendosur brenda një kamioni që ishte pjesë e këtij aksidenti.

Deri te aksidenti zinxhiror erdhi për shkak të sasisë së madhe të pluhurit që ishte ngritur në ajër – pra mbi autostradë.

Veturat kishin filluar të frenojnë, ku si pasojë shoferët tjerë që ishin prapa tyre nuk i shihnin veturat e kamionët para tyre –gjë që erdhi derisa te aksidenti zinxhiror dhe 19 vetura u përfshin nga zjarri. /Telegrafi/