Telegrafi

Pamjet ku shihet Radoiçiqi në sulmin terrorist, vrasja e truprojës së Vulinit e dokumenti që ushtria serbe ia ka dhënë grupit – të dhënat që janë prezantuar deri tani

Që nga sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën në Banjskë të Zveçanit, zyrtarë të shtetit të Kosovës, saktësisht ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka prezantuar dokumente, sipas të cilit, konfirmohet involvimi i Serbisë në sulm.

Ministri Sveçla ditë më parë prezantoi një video në Facebook ku shihet Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe.

“Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, shkruan Sveçla.

Ndërkaq, të mërkurën ministri i Punëve të Brendshme po ashtu bëri të ditur se njëri nga të vrarët në sulmin terrorist është Bojan Mijailoviq, truprojë e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin.

Ai në një postim në Facebook shkruan se shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës.

Po të mërkurën pasdite, Sveçla ka vazhduar me prezantimin e provave të reja që sipas tij tregojnë qartë lidhjet zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku.

Ai këtë herë publikoi një dokument që është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave.

“Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës.

Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Pamjet ku shihet Radoiçiqi në sulmin terrorist, vrasje e truprojës së Vulinit e dokumenti që ushtria serbe ia ka dhënë grupit – të dhënat që janë prezantuar deri tani
Ndryshe, në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ka mbetur i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërkaq është plagosur polici Alban Rashiti.

Ndërkaq, nga radhët e sulmueseve deri tani janë raportuar 4 të vrarë. Policia e Kosovës ka arrestuar edhe disa të dyshuar për sulmin. /Telegrafi/