Të shtunën Telegrafi kishte raportuar në lidhje me një video që po qarkullonte në rrjete sociale, ku shihej një person në situatë të vështirë duke u mbajtur me duar në teleferik.
Derisa nuk diheshin rrethanat e këtij rasti, Policia e Kosovës sapo ka parë këtë video ishte interesuar për rastin në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, por që protagonisti e as qendra nuk kishin dashur të hapnin rast, pasi nuk kishte pasur persona të lënduar.
Nga Policia e Kosovës, në rajonin e Ferizajt kanë sqaruar për Telegrafin se personi i cili shihet në video ishte punëtor i qendrës, më saktësisht punëtor për kërkim-shpëtim.
Punëtori derisa po punonte, i kishte ngecur dorëza në teleferik derisa ai kishte nisur të lëvizë.
Ai pasi kishte ngecur në teleferik ka gjetur momentin më të përshtatshëm për të rënë në një pjesë ku ka konsideruar se lartësia nuk është shumë e madhe.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli ka deklaruar për Telegrafin se punëtori pasi e njihte mirë terrenin, kishte pritur momentin më të përshtatshëm ku është më afër tokës për tu lëshuar nga teleferiku.
“Më 29 janar, policia në Shtërpcë, sapo e kanë parë videon që ka qarkulluar në rrjetet sociale kanë kontaktuar Qendrën e Skajimin, por ata nuk kanë dashur të hapin rast, duke qenë se nuk ka pasur lëndime personi. Fjala ka qenë për një punëtorë të kërkim-shpëtimit, që i ka ngecur dorëza aty dhe ai e ka pritur terrenin e përshtatshëm për tu lëshuar, duke qenë se ai e ka njohur shumë mirë terrenin”, tha Veseli. /Telegrafi/