Disa pamje të publikuara nga mediat e huaja thuhet se tregojnë trupat ukrainase duke rrëzuar një avion luftarak rus nga qielli, duke kapur një oficer të lartë të ushtrisë dhe duke goditur pozicionet e armikut me helikopterë, në goditje të mëtejshme ndaj pushtimit në vazhdim të Vladimir Putinit.
Siç shkruan Daily Mail, përcjell Telegrafi, zhvillimet u raportuan nga disa burime, duke përfshirë një kanal pro-rus, i cili gjithashtu “ankohej” për suksesin e kundërsulmeve të Kievit që kanë filluar të rriten ditët e fundit.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se ka pasur luftime të ashpra në tri fronte: në veri, afër Kharkiv; në lindje në Donbas; dhe në jug në Kherson Oblast – ku Ukraina ka ngritur një kundërofensivë në përpjekje për të rimarrë territorin e pushtuar.
Pamjet u shfaqën të mërkurën dhe duket se tregojnë momentin kur avioni luftarak rus u rrëzua mbi një fushë në Ukrainë.
Sipas komandës operacionale jugore të Kievit, avioni Su-25 u godit ndërsa fluturonte poshtë një rakete.
Një video tjetër tregoi helikopterët ukrainas duke fluturuar mbi një rrugë që kalon midis fushave të thata dhe duke lëshuar raketa mbi pozicionet e armikut në një vijë pemësh.
Videoja e rrëzimit të Su-25 është publikuar nga Anatoliy Shtefan, një oficer i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Një zë që besohet të jetë nga ushtria ukrainase dëgjohet duke thënë “Po, po…” në anglisht me theks dhe më pas në rusisht: “Ra përtokë”.
Burimet ruse thanë se piloti u rrëzua me sukses dhe u evakuua. Megjithatë, nuk kishte asnjë provë për këtë.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga ushtria e Ukrainës, Rusia ka humbur gjithsej 237 avionë luftarakë, 208 helikopterë dhe 880 dronë. /Telegrafi/