Një pikë statike (kontejnerë) e Policisë së Kosovës është djegur sot rreth orës 03:00 të mëngjesit tek tre rrokaqiejt në veri të Mitrovicës.
Telegrafi ka siguruar pamje të këtij kontejneri pas djegies së saj.
Ndërkaq, Telegrafi merr vesh nga burimet se djegia e saj është bërë me lëndë djegëse (me mjete piroteknike).
Po ashtu edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se është djegur një shtëpizë e Policisë tek tre rrokaqiejt në veri të Mitrovicës.
Sipas raportit zjarri është lokalizuar (fikur) nga policia dhe rasti është cilësuar si “Kryerje e veprës terroriste”.
“Mitrovicë Veri, 29.06.2023, 03:15. Në vendin dhe kohën e lartcekur është dëgjuar një shpërthim. Patrulla policore ka dalë ne vendin e ngjarjes , në rrugën Kollashini (Tre Rrokaqiet), ka vërejtur se një shtëpizë, pronë e PK-së është përfshirë nga zjarri. Zjarri është lokalizuar (fikur) nga policia”, thuhet në raport.
Ndërkaq siç bëhet e ditur në raport objekti është dëmtuar dhe dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një shpërthimi.
“Për rastin është njoftuar prokurori dhe në koordinim me të është iniciuar ‘kryerje e veprës terroriste’ “, thuhet në raport. /Telegrafi/