Site icon Telegrafi

Palmer dhe Lajçak takohen me Kurtin

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Mathey Palmer së bashku me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak i kanë shkuar për takim kryeministrit të Kosovës, Abin Kurti.

Palmer i cili është edhe emisar i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, gjatë ditës priti në takime të ndara edhe dy liderët e partive opozitare, kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj dhe liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Po ashtu Palmer është takuar edhe me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

Derisa, nesër së bashku me Lajçak do të mbajnë konferencë për medie.

Ndryshe, arsyeja e vizitës merret vesh se është përgatitja për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht përgatitja e takimit mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë vizitës së fundit në Brusksel, më 18 maj, kryeministri Kurti kishte deklaruar se takimi me Vuçiqin mund të ndodhë diku në mesin e muajit qershor. Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borrell kishte deklaruar se shpreson që dialogu në nivel të lartë të ndodhë para 22 qershorit.

Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, do të bëhet edhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit./Telegrafi/

Exit mobile version