Site icon Telegrafi

Pallotta: Roma nuk pati zgjidhje tjetër në rastet e shitjes së Pjanicit dhe Salahut

(Foto: Getty Images)

Presidenti i Romës, Jim Pallotta, ka reaguar ndaj kritikave që e quajnë klubin italian një “supermarket” duke thënë se nuk ka pasur zgjidhje tjetër në rastet e shitjeve të Miralem Pjanic dhe Mohamed Salah.

Giallorossët kanë tendencë që t’i shesin lojtarët kryesor thuajse çdo verë, ndërsa së fundmi i larguan mesfushorin boshnjak (2016, te Juventusi) dhe anësorin egjiptian (2017, te Liverpooli).

(Foto: Getty Images)

“Ka frustrime nga ana ime kur njerëzit thonë se Roma është një supermarket… Kur ta mendosh, Pjanic kishte një klauzolë dhe duhej të shkonte”.

“Salah është duke e copëtuar Ligën Premier, ai tha se donte të largohej dhe nuk kishte më kohë në kontratën e tij, prandaj nuk kishim zgjidhje”.

“Janë disa gjëra që ndodhin prapa skenave, të cilat njerëzit nuk i kuptojnë, se lojtarët e tyre duan të largohen ose janë disa gjëra që duan t’i bëjnë. Ne nuk përpiqemi vetëm të shesim lojtarë”, ka deklaruar Pallotta për radion Sirius XM.

(Foto: Getty Images)

Në prillin e kaluar, Roma e angazhoi ish-drejtorin sportiv të Sevillas, Monchi, i cili është duke e transformuar strategjinë e transferimeve të Giallorossëve.

“I mori pak kohë derisa u përshtat, sepse siç e dimë të gjithë, nuk është lehtë të vish te Roma, pasi ka aq shumë media (që bëjnë presion), prandaj ishte shumë ndryshe për te”, ka shtuar kreu i klubit italian. /Telegrafi/

Exit mobile version