Palestinezët në Gaza raportuan bombardime intensive të martën herët pranë qyteteve jugore të Khan Younis dhe Rafah, ku Izraeli urdhëroi civilët të kërkonin strehim.
Sipas raporteve lokale, bombat izraelite goditën zonat në perëndim dhe juglindje të Khan Younis dhe në perëndim të Rafah, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Mijëra njerëz që përpiqen të ikin nga Gaza janë mbledhur në Rafah, ku shtrihet pika e vetme kufitare e territorit me Egjiptin.
Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë po bëjnë presion për një marrëveshje për të lejuar hyrjen e ndihmës dhe daljen e refugjatëve me pasaporta të huaja, megjithëse kalimi mbetet i mbyllur.
Ndërkohë ministri i Jashtëm i Iranit ka paralajmëruar për një sulm parandalues kundër Izraelit në orët e ardhshme.
Ai tha se grupet e mbështetura nga Irani, si Hezbollahu në Libanin jugor, nuk do të lejojnë forcat izraelite të bëjnë atë që duan në Gaza pa pasoja.
Tensionet përgjatë kufirit Izrael-Liban kanë qenë të larta që kur Izraeli filloi hakmarrjen kundër Hamasit në Gaza.
Militantët e Hezbollahut kanë qëlluar mbi pozicionet izraelite në përleshje të kufizuara, ndërsa Izraeli është përgjigjur me granatime.
Frika po rritet se ky mund të bëhet një front i ri në luftë me përfshirjen e Hezbollahut, megjithëse shkëmbimet ndërkufitare aktualisht kanë qenë të kufizuara në shtrirje. /Telegrafi/